Fjalë të urta persiane: Kush ta thotë të vërtetën në sy, të ka vëlla!

• Mashkullin në jetë e presin katër obligime: të krijojë familje (shtëpi), ta trashëgojë një djalë, ta mbjellë një dru dhe të shkruajë një libër.

• Ari i kulluar nuk i trembet gurit të provës.

• Atë që bën ç’i do qejfi, e çojnë atje ku s’i ka qejfi.

• Atë që bën syri, s’e bën vetulla.

• Atij që i jep një libër hua, i duhet prerë një dorë; atij që e kthen atë, i duhen prerë të dyja.

• Besimi është më i mirë se pasuria.

• Bëj si mulliri, merre të fortë e ktheje në të butë.

• Çdo natë e errët ka mbarimin e ndritshëm.

 Daullja gjëmon ngaqë e ka barkun bosh.

• Desha t’ia ndreqja vetullën, por i nxora sytë.

• Dënimi më i madh për atë që shet shtrenjtë është të mos blesh te ai.

• Dijet e marra në fëmijëri janë si vizatimet e gdhendura në gur.

• Dikur kisha forcën por jo diturinë; tashti që kam diturinë, s’kam forcë.

• Dora e thyer ngjitet, por zemra aspak.

• Drejtoje pemën sa është e njomë.

• Duroje dhimbjen derisa të gjesh ilaçin.

• E çuan llafazanin në ferr dhe tha: “Sa të njoma qenkan drutë”.

• Është më mirë të jetosh në zemrën e mikut sesa në shtëpinë e tij.

• Fjala e ëmbël ka magji.

• Fjala e ka lezetin kur është e shkurtër.

• Fjala që mban brenda teje është skllavja jote; ajo që nxjerr, është padronja jote.

• Fjalët e urta janë zbukurim i të folurit.

• Garuzhda merr çfarë ka tenxherja.

• Gomari dhe kali të lidhur pranë, edhe në mos ngjafshin nga qimja, do të ngjajnë nga huqet.

• Grushtet i ha kush ndan ata që zihen.

• Janë tre lloje armiqsh: armiku, armiku i armikut, dhe miku i armikut.

• Këmbët e gjarprit, sytë e milingonës dhe bukën e hoxhës – nuk i pa asnjeri.

• Kur fëmija mësohet në krahë, nuk zbret në tokë.

• Kur u bë deti kos, fukarait iu thye luga.

• Kush ka pesëdhjetë halle, s’ka qeder nga 30 të tjera.

• Kush ta thotë të vërtetën në sy, të ka vëlla.

• Me fjalë të buta edhe gjarprin e nxjerr nga vrima.

• Muret kanë minj, minjtë kanë veshë.

• Nëna e hajdutit herë ha gjoks, herë i bie gjoksit. /EO/

• Në pemën e përtacisë rritet uria.

• Nëse ecën ngadalë – të arrin fatkeqësia, nëse ecën shpejt, e arrin fatkeqësinë.

• Një njeri mund të quhet i mençur kur është në kërkim të mençurisë, por do të jetë i marrë nëse beson se e ka gjetur.