“Etno Fest” sivjet me fokus te shtëpia e familja

“Shtëpia e Zotit dhe e Mikut” është tema rreth së cilës është konceptuar edicioni i nëntë i festivalit “Etno Fest”. Zgjedhja e kësaj teme nga organizatorët është parë si një mundësi për t’i kthyer në vëmendje të njerëzve traditën dhe trashëgiminë materiale, por edhe shpirtërore.

Festivali, i cili do të mbahet në fshatin Kukaj i kujton vendit se trashëgimia çdo ditë po dëmtohet dhe se duhet vepruar për të ruajtur atë. Edicioni i sivjetshëm do të fillojë më 20 gusht dhe do të zgjasë deri në ditën e 25-të të këtij muaji, shkruan sot “Koha Ditore”.

Drejtori artistik i Festivalit, Ilaz Hysaj, ka thënë se Këshilli organizativ i Festivalit në krye me drejtorin e përgjithshëm, Fadil Hysaj, kanë vendosur që në këtë edicion si temë qendrore të zgjedhin shtëpinë tradicionale, sipas tyre, me një qasje gjithëpërfshirëse.

“Nga ajo arkitekturale, kultura e banimit, funksionimi, roli i gruas në menaxhimin dhe funksionimin e shtëpisë, i zoti i shtëpisë që kishin rol dominues në ngritjen, edukimin e brezave dhe ekonominë familjare”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo temë nuk është zgjedhur rastësisht. Ai ka thënë se një përzgjedhje e tillë është bërë pasi që ky segment i rëndësishëm i kulturës dhe trashëgimisë materiale është degraduar me rrënimet e shtëpive të vjetra, lagjeve karakteristike në qytete, si Prishtina, Gjakova, Peja, Ferizaj e të tjera.

Ai ka shtuar se asnjë popull dhe asnjë politikë në Evropë dhe më gjerë nuk është treguar më barbare dhe më rrënuese karshi vlerave të vjetra të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore.

Veçori tjetër e këtij edicioni është edhe lidhshmëria që do t’u bëhet riteve të vjetra, muzikës tradicionale me trendët modernë, duke i pasuruar ato dhe duke i bërë më të qasshme për publikun e ri. Publik ky që, sipas Hysajt, është rritur pothuajse pa i njohur fare vlerat etnokulturore të paraardhësve të tyre.

Ai, po ashtu, ka theksuar edhe pjesëmarrjen ndërkombëtare të artistëve nga 14 shtete në ekspozitën e akuarelit në bashkëpunim me “IWS KOSOVA” me kurator Besnik Xhemailin, si dhe punëtorinë e modelimit me letër të kostumeve tradicionale nga Rica Mende nga Gjermania me Milaim Avdiu dhe Elvana Avdiu nga Kosova.

Hysaj ka treguar se Festivali sivjet përmban gjithsej 64 ngjarje me një numër të madh pjesëmarrësish nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe shtete të tjera.