“Botimet shqipe në Malin e Zi” bën bashkë studiues dhe autorë

Takimi me temë “Botimet shqipe në Malin e Zi” bëri bashkë studiues dhe autorë të letërsisë në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës.

I organizuar në formën e një forumi, drejtuar nga Persida Asllani, drejtore e BKSH-së, poeti dhe bibliografi Gazmend Krasniqi, përkthyesi Dimitrov Popoviq si dhe studiuesja Liridona Sinishtaj, ky aktivitet erdhi si një takim i pritur për një temë të rëndësishme të kulturës e letërsisë shqipe, atë të botimeve shqipe në Malin e Zi.

Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e BKSH-së, Persida Asllani u shpreh se jemi dy vende në fqinjësi shumë të gjatë, të shtresëzuara në linja dhe në periudha nga më të hershmet, dhe gjithnjë kemi mbetur peng i nevojës për të njohur më mirë dhe për të kuptuar dhe pranuar më mirë njëri-tjetrin.

“Rruga më e sigurt dhe më cilësore është edhe ajo e artit, veçanërisht e letërsisë. Zërat dhe pena e poetëve dhe shkrimtarëve tanë, qasja që i bëjnë thellësisë njerëzore dhe identitetit tonë kombëtar, por edhe privat, janë ato që na bashkojnë, por edhe na pasurojnë”, tha Asllani.

Duke theksuar rëndësinë e botimeve shqipe në Malin e Zi, drejtoresha e BKSH-së, Asllani shtoi se fokusi i parë ka qenë autorët shqiptarë të Malit të Zi.

“Mënyra se si ata zhvillojnë letërsinë e tyre në raport me letërsinë shqipe, por mbi të gjitha në raport me kulturën dhe jetën e librit në Malin e Zi. Vlen të theksojmë se botimet shqipe në Mal të Zi prej shumë vitesh, po realizohen përmes një programi ambicioz, në kuadër të njohjes së letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptar” vijoi ajo. /Kohanet/