Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

INTERVISTA/ Hans – Joachim Lanksch, i magjepsuri nga poezia shqipe

Një javë më parë vdiq përkthyesi i shquar i letërsisë shqipe në gjermanisht Hans-Joachim Lanksch. Me zotin Lanksch isha njohur në vitin 1994 përmes poetit tonë Ali Podrimja, poezitë e të cilit Lanksch i kishte përkthyer në gjermanisht. Atëbotë, unë ndodhesha në Mynih si gazetar i revistës “Koha”, që botohej nga publicisti Veton Surroi. Për “Koha” kisha zhvilluar disa intervista, si atë me përkthyesin dhe albanologun e njohur Wilfried Fiedler, pastaj me studiuesin e letërsisë krahasimtare Ardian Klosi, i cili asokohe ishte promovuar në fushën e letërsisë komperative në Austri dhe jetonte në Mynih. Me zotin Lanksch isha takuar disa herë së bashku me poetin Ali Podrimja, ndërsa disa herë isha në shtëpinë e tij si mysafir, për t’i dërguar botimet më të reja të poezisë shqipe të autorëve nga Kosova, për të cilat ai interesohej. Gjatë kësaj kohe e kisha lutur për një intervistë dhe ai pa hezituar kishte pranuar me shumë kënaqësi. Kjo ishte në fakt intervista e parë e tij për një media nga Kosova, botuar në të përjavshmen “Koha” të Prishtinës në vitin 1994.

Z.Lanksch, jeni njëri nga dashamirësit e kulturës shqiptare, i cili që shumë vjet përpiqet për përhapjen e vlerave të letërsisë shqipe në hapësirat gjermanofone. Cilat janë motivet që ju shtyjnë ta bëni këtë punë?

Hans-Joachim Lanksch: Motivet janë të shumta. Ndër shkaqet kryesore është edhe ai të cilin e përshkroi z. Gauss, kryeredaktori i revistës letrare “Literatur & Kritik”, në parathënien e numrit të revistës tek m’është botuar një panoramë e poezisë së Kosovës: «H. J. Lanksch është njeri i çuditshëm në Bavari, i cili, në rini, është dashuruar në gjuhët dhe poezitë e Ballkanit». Motivi i dytë është se jam i sëmurë. Vuaj nga translatopatia: nuk kam çare pa përkthyer, pa përkthyer poezi. Pse? Poezia është si një femër tejet e bukur, dihet se është bukur e rrezikshme por megjithatë duhet ta shikosh, ajo të josh, të grish, të pushton. E di se është punë e rrezikshme të çosh dashuri me të, por megjithatë nuk mund t’i këputësh sytë nga ajo. Cili burrë i shëndoshë mund t’i këputë sytë nga një Sofja Loren? Përveç provokimeve të pakundërshtueshme të bukurisë e të sensualitetit të zonjës Poezi, tjetër faktor me rëndësi është fakti se e vetmja terapi e suksesshme e translatopatisë është: përkthimi. Është një terapi nga më të këndshmet dhe më kënaq pa masë. Përkthimi i çdo vjershe i ngjan zhvillimit të një sëmundjeje që ka fillimin e vet, shpërthimin, acarimin, krizën, agoninë dhe, më në fund, edhe shërimin (përkthimin e bërë). Është kënaqësi shumë e madhe t’i sulesh detyrës së pamundur d.m.th. të kacafytesh me gjuhën e vet për të shprehur me mjetet e gjuhës së vet atë që mund të shprehet vetëm me atë gjuhë tjetër ose, me fjalë të tjera, të përkthesh një tekst të papërkthyeshëm poetik dhe ta shohësh më në fund, të hedhur në letër një përkthim të cilin rahat mund të lësh ta lexojnë tjerët, një poezi, pra, në gjuhën tënde. Pse merrem mu me përkthimin e poezisë shqipe? Këtu, me siguri, është në mes edhe diç si afinitet për një gjuhë dhe botën shpirtërore e cila qëndron prapa saj. Përveç kësaj, prapë ka disa shkaqe. “Fajtori” kryesor për angazhimin tim rreth poezisë shqipe është pa dyshim Martin Camaj, poezia e të cilit më ka magjepsur, më ka narkotizuar, më ka infektuar me dashurinë e pashërueshme për poezinë e stërbukur të tij dhe atë shqipe në përgjithësi. Shkaku i dytë është se jam, ndoshta, njëfarë fanatiku i së vërtetës dhe drejtësisë. Ju, shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo qoftë në botë, jeni një popull i vogël për nga numri – dhe keni një letërsi të madhe. Këtë nuk them për hir të komplimentit të rrejshëm ose për të bërë lajka. E vërteta është se krijimtaria e shkrimtarëve të tillë meriton të njihet edhe përtej trojeve shqiptare dhe do të ishte një padrejtësi e padurueshme po qe se nuk do ta kapërcente barrikadën e gjuhës, p.sh., Zef Serembe, Lasgushi, Kuteli, Trebeshina, letërsia e qarkut të Shkodrës, Camaj, Adem Gajtani, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj, Anton Pashku, Kate Xukaro, Mimoza Ahmeti, Visar Zhiti, Rudolf Marku, Primo Shllaku, Zef Zorba dhe shumë e shumë të tjerë veprat e të cilëve mund të maten lirisht me krijimtarinë e kolegëve të tyre shkrimtarë anembanë Europës. Shkaku i fundit që po më bie ndër mend përkitazi me domosdoshmërinë e përkthimit të poezisë shqipe është një veçori e një pjese të mirë të poezisë shqipe e cila veçori më pëlqen dhe më tërheq më së tepërmi: konciziteti i saj eliptik tek thuhet vetëm ajo më e nevojshmja, dendësimi radikal i përvojave të pasura ekzistenciale me një minimum ekstrem mjetesh shprehëse dhe formale në tablo të kristalizuara, reduktimi i skajshëm i materialit gjuhësor deri te vargje të tëra tekstualisht njërrokëshe. Më falni përgjigjen e gjatë për këtë pyetje të shkurtër e të thjeshtë, do të cek edhe një pikëpamje d.m.th. poezia e madhe shqipe si ajo e veriut (Shkodra, Dukagjini, Kosova) ashtu dhe ajo e jugut (Lasgushi, Trebeshina) mbështetet në traditë dhe në rrënjë të stërlashta arkaike. Sidomos poezia e Camajt dhe e mjeshtrave kosovarë është shprehimisht moderne.

Në përkthimet që ju keni bërë në gjermanisht dhjetë poetëve të Kosovës në vitin 1992 një recension thekson se “në Kosovë shkruhet poezi në nivel botëror”, është ky një vlerësim i lartë për poezinë shqipe që krijohet në Kosovë. Është me interes që me këtë rast mundësisht ta elaboroni (arsyetoni) këtë?

Hans-Joachim Lanksch: Vlerësimin nuk e kam bërë unë, por natyrisht e citoj me gjithë qejf. As nuk mund të përcaktoj saktësisht se çfarë do të thotë shprehja “nivel botëror”, në të vërtetë do të preferoja ta kaloj këtë pyetje me heshtje; më mirë mund ta them gegnisht: nga friga kosovarët e mij mos me u tranu se – na jena mâ të mirët. Megjithatë, duhen theksuar dy-tri pikëpamje: mund t’ju tregoj se Ali Podrimja vitin e kaluar hyri në rundën e fundit kandidatësh për Çmimin europian të poezisë (në Holandë), ndërsa këtë vit në rundën e fundit kandidatësh për Çmimin europian për prozë të shkurtër (në Gjermani) u gjet prozatori i ri Kim Mehmeti. Në konkursin për prozë kam qenë i pranishëm dhe pas shpalljes së vendimit të zhurisë shumë njerëz më kanë thënë se “për të merituar do ta meritonte Mehmeti sepse është më i miri”. Do të cek vetëm edhe këtë se nga lista e mësipërme autorësh, Martin Camaj ka qenë i emëruar kandidat për Çmimin nobel dhe unë nuk do të hezitoja asnjë dakikë për të thënë se edhe Kasëm Trebeshina është kandidat tepër i denjë për këtë çmim.

Jeni njohës edhe i poezisë arbëreshe. në një vështrim tuajin angazhoheni që ky “visar duhet shpëtue nga angazhimet për futjen e «gjuhës letrare» në të gjitha viset shqipfolëse me gjithë tendencën unifikuese në lamin e gjuhës”. Ç’keni dashur të thoni me këtë?

Hans-Joachim Lanksch: Më falni, nuk jam njohës i poezisë arbëreshe. Jam dashamirës i saj, sadopak e njoh. Me fjalinë e cituar kam dashur të them se jam kundër nivelimit të krijimeve letrare në viset dhe këndet e ndryshme të hapësirës kulturore shqiptare. “Nivelimi” do të thotë: reduktimi i teksteve poetike në gjuhën e Kostallarit ose: shlyerja e shprehjes individuale, zhdukja e karakterit të veçantë dhe sharmit të posaçëm të krijuesve të një rajoni shqipfolës. Po të më lejoni, do t’jua citoj vetëm një miniaturë të mrekullueshme të poetit arbëresh Pietro Napoletone, “Bën tëtim” (tëtim = ftohtë):

Bën tëtim

Jasht bën tëtim:

çel zjarrin

se jam e vinj.

Prezë vatrës

u e ti

rrimi mirë

pa mosnjeri.

Rrëfyemi të vjetrat,

mendomi të ritë,

e shkomi bashkë

njetër ditë.

Nëse jeni i mendimit se ky xhevahirth mund të përkthehet në gjuhën burokratike, të mpirë e të letëruar KL (kombëtare letrare) pa e humbur sharmin e vet – atëherë në të ardhmen mund ta përkthej poezinë shqipe në gjermanishten e bankierëve! Ta cek edhe një shembull të trishtueshëm: në “Konferencë Kombëtare «Gjuha kombëtare letrare dhe bota shqiptare sot»”, më 1992, një albanolog gjerman pat deklaruar se: “Çfarë vlere do të kishte vepra e Martin Camajt po të ishte shkruar në gjuhën kombëtare letrare” – më vjen keq dhe më vjen turpi për këtë bashkatdhetar të timin, sepse injorancë më të madhe nuk ka. Sintaksa, frazeologjia dhe shprehja artistike individuale janë aq specifike sa që do të ishte një përdhunim i padëgjuar po të “adaptohej” veç një varg i vetëm i Camajt! I kundërshtohem pretendimit të pa vend se arbërishtja dhe varietete të tjera të shqipes nuk janë veçse dialekte që duhet t’i nënshtrohen rrafshimit me gjuhën sterile zyrtare të IGjL (Instituti i gjuhësisë dhe i letërsisë) të dikurshëm. Po të thonit ju se gjermanishtja e shkrimtarëve austriakë, e ngjyruar me një larmi elementesh specifike austriake, duhet t’i “adaptohet” (ose shqip: përshtatet) gjermanishtes zyrtare të kodifikuar nga Dudeni – do t’ju futeshin në çmendi!

Për dallim prej shumë studiuesve të gjuhës shqipe, ju mendoni se unifikimi i shqipes “s’asht vetëm unifikim i gjuhës, i kulturës, i kombit, ai asht edhe vorfnim i letërsisë” dhe se kjo çështje duhet të rishqyrtohet. Kështu si ju ta zëmë nuk mendon Hermann Oelberg. Përveç të tjerash ju përjashtoni të gjithë faktorët jashtëgjuhësor që kanë sjellë te domosdoja e unifikimit. Si e arsyetoni këtë?

Hans-Joachim Lanksch: Më falni, nuk jam studiues, jam përkthyes. Sa i përket varfërimit të letërsisë, thashë pak më parë se ku e kam fjalën: te rrafshimi i larmisë dhe i begatisë së letërsisë shqipe e cila më duket se është një – dhe jo tri-katër-pesë asosh (letërsitë e Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të ngulimeve arbëreshe dhe të diasporës) – dhe se shfaqet si një mbretëri me peizazhe të ndryshme në viset e saj të veriut, të mesit e të jugut. Futja e kostallarishtes në të gjitha trojet shqipfolëse (“adaptimi”) i bën njëlloj dhe njësoj, monotone dhe monohrone bukuritë e ndryshme natyrore të peizazheve të letërsisë shqipe. Rishqyrtimi i kësaj çështjeje nuk do të thotë se jam kundër bashkimit të shqiptarëve në një gjuhë të përbashkët letrare, kurrsesi. Mirëpo, jam kundër “unifikimit” (shqip: njësimit) të përdhunshëm e të rrejshëm që është bërë brenda disa dekadave duke abroguar vendimet e qarta të Komisisë Letrare Shqipe për elbasanishten, duke përdhunuar gjuhën dhe kulturën e traditës veriore dhe duke ua imponuar dy të tretave të popullit shqiptar idiomën e një së tretës së tij. A ka tjetër komb në Europë të cilit i është urdhëruar të flasë dhe të shkruajë idiomën e diktatorit (me një shtojcë-alibi njëzet përqindësh nga idioma e dy të tretave të tjera të kombit)? Nëse gjindja ka qenë e detyruar që një gjë të tillë ta quante “unifikim” ose “gjuhë e njësuar” resp. “gjuhë kombëtare letrare” gjatë diktaturës, atëherë ne këtu dhe tash mund ta quajmë ashtu siç është dhe çfarë është: shtrembërim i së vërtetës, çoroditje e gjuhës dhe masakrim i kulturës. Më duket se tash, pas çlirimit nga xhindet e sistemit totalitar, mund të fillojë procesi i vështirë dhe i afatgjatë i shkrirjes së të folmeve dhe varieteteve të shqipes në një gjuhë. Kushti i patjetërsueshëm për këtë, sipas meje, është përzënia e menjëhershme e diktaturës së gjuhës së “njësuar” nga letërsia shqipe; duhet të lejohet dhe të mundësohet përdorimi i lirë dhe sa më i gjerë i toskërishtes dhe i gegnishtes pa “adaptime” a “intervenime” (shqip: ndërhyrje), d.m.th. se kush ka qejf të shkruajë në letrarishten e tashme zyrtare le të shkruajë si i don qejfi, kush ka dëshirë të shkruajë gegnisht ose toskërisht le të bëjë edhe ai si i flet gjuha e gojës dhe e zemrës. Ju e përmendët “domosdonë e unifikimit” – do t’jua parashtroj vetëm dy këndshikime: unifikimi resp. njësimi fillon jo me një gjuhë të dekretuar artificiale por në trutë dhe mendtë tuaj! Njësimi do të fillojë kur do t’i jepni fund mendimit për “ne” dhe “ata”!!! Po ju flas nga përvoja konkrete gjermane: Koli, “kancelari i bashkimit gjerman”, dhe trumbetimi i histerisë nacionalistike na e sollin bashkimin kombëtar, telashe gjiganteske ekonomike dhe jermin neonazist. Edhe sot e kësaj dite ne të gjithë flasim për “ne” dhe “ata”, jemi mbetur të ndarë. Përderisa do të vazhdohet mentaliteti i cili shfaqet te njerëz tuaj që dallojnë “shqiptarët” dhe “ata të Shqipnisë” resp., në anën tjetër të murit shqiptar, “shqiptarët” dhe “kosovarët”, do të jetë kot e kot çdo potencim i unifikimit kombëtar dhe gjuhësor. Domosdoja e parë më duket se është çlirimi i shqiptarëve të Kosovës nga kompleksi i inferioritetit dhe i shqiptarëve të mëmëdheut nga kompleksi i superioritetit.
Lidhur me pyetjen tuaj, vërtet e kundërshtoj shpërdorimin e gjuhësisë për qëllime jashtëgjuhësore, shpërdorimin e shkencës për synime joshkencore në përgjithësi si dhe zbatimin e kritereve jashtëgjuhësore për vetë gjuhën në veçanti. Po qe se është një domosdo kombëtare politike unifikimi i shqiptarëve, atëherë mund të argumentohet me një mori argumentesh të mira kombëtare politike dhe s’ka nevojë që të keqpërdoret shkenca e gjuhësisë, po qe se ka nevojë për një gjuhë të përbashkët letrare (dhe vetëkuptohet se ka!) le të argumentohet me argumente gjuhësore dhe jo politike, kombëtare, rrobaqepëse ose ku ta di unë se çfarë të tjerash! Pse na duhet asi mishmashi kriteresh dhe kategorish? Si mund të duket rezultati nëse politizohet çështja e gjuhës, na e tregon qartë shembulli i hatashëm i serbokroatishtes: serbët dhe kroatët, mbi bazën e hovit “ilir” të shekullit të kaluar, e kanë pranuar një gjuhë të përbashkët e cila nuk ka qenë vërtet e përbashkët por e siguronte hegjemoninë e elementit serb. Tashmë serbët flasin serbisht siç flisnin që nga imponimi i serbokroatishtes, kroatët bëjnë çmos ta kroatizojnë gjysmëkroatishten e tyre të deritashme dhe përndryshe bereqetin e bollshëm e ka – mortja.

Gjuhëtarët zyrtarë shërbyes të oborrit të kuq me gjuhën e unifikuar krijuan një vegël agitpropi dhe sundimi – nëse të gjithë flasin gjuhën e njëllojtë stereotipe, ka të ngjarë edhe se nuk do të ketë devijime në të menduarit, të gjithë do të mendojnë njëlloj sipas ligjit dhe diktatit të diktatorit. Kjo gjuhë i ngjan një torte të madhe, të bukur dhe fort të ëmbël tek mungon gjysma e saj (sepse ëmbëltori e hodhi në kosh plehrash gjysmën tjetër) – a s’doni ta hani edhe gjysmën tjetër?
Sa për shpërdorim të shkencës – edhe historiografia do të ishte mirë po të mbetej shkencë e historisë dhe jo viktimë e politikës. Frazat dhe mitet – pse nuk ua lëni serbëve? Mendoja se shqiptarët janë më të mençëm nga armiku thikëndryshkur dhe mendjendryshkur?!

Cili është mendimi juaj për perspektivat e depërtimit të poezisë shqipe, me theks të veçantë asaj kosovare në hapësirat gjermanofolëse?

Hans-Joachim Lanksch: Vështirë mund të parashikosh se si do të zhvillohet situata. Dy gjëra janë të qarta: çdo shkrim i shtypit kosovar për këtë temë ishte, është dhe mbase do të jetë e tepruar pa masë: “Afirmimi i krijuesve tanë në botë”. Është një vërtetë tepër e dhimbshme por reale se bota, mjerisht, di shumë pak për letërsinë shqiptare. Trumbetime të tilla të tepruara janë pakëz edhe një si mospërfillje e punës tejet të vështirë prej mundqari të atyre që përpiqen ta përhapin letërsinë shqipe në këto anë. E dyta është se poezia shqipe mirëpritet me entuziazëm kudo të prezantohet, por për të depërtuar ajo te publiku lexues i këtushëm duhet çarë një rrugë të mundimshme. Për shembull, miku im Ali Podrimja korri suksese të bukura, te publiku i interesuar për poezi ai është bërë një institucion, kur vjen në Gjermani ka mjaft mbrëmje letrare, intervista etj. Por, botimi i tij i parë në gjermanisht doli 1986-tin! Rrugën në Gjermani e çau – pas shumë vjetësh. Në vjeshtë të këtij viti, në Panairin ndërkombëtar të librit në Frankfort, do të dalë një vëllim poezish të Azem Shkrelit. Në katalogun e shtëpisë botuese paralajmërohet libri, mes të tjerash, me tekstin e vjershës së Azemit “Shkëmbi” – kushdo e lexoi katalogun u çmend për këtë poezi dhe bën pyetje se kur do ta kemi librin?! Por sa lexuesve do t’u bjerë në dorë ky libër i mrekullueshëm? Në këto anë, poezia botohet me një tirazh 1000-1500 ekzemplarësh. Vetëm poezi e cekët e disa “poeteshave” sentimentale mund të ketë një tirazh të madh, pseudopoezia e shundistës gjermane Ulla Hahn p.sh. botohet me 10 000 ekzemplarë. Azemi do të ketë 2000 copa. Me fjalë të tjera: poezia shqipe është me cilësi të dorës së parë, për t’u depërtuar ajo në hapësirat gjermanofolëse duhet punë e vazhdueshme dhe këmbëngulëse. Kontinuitet dhe entuziazëm. Tjetër mundësi s’ka. Ndonjë përkrahje konkrete (financim, angazhim i botuesve shqiptarë etj. etj.), qoftë nga Kosova qoftë nga Shqipëria, tash për tash, nuk mund të pritet. Prandaj, mbetet vetëm një mundësi e vetme se si mund ta ndihmoni punën e atyre që kohën e lirë e kalojnë me përkthime nga letrat shqipe: në shtypin shqiptar të informoni saktë, thatë dhe pa teprime për realitetin e punës sonë të vështirë dhe të gjendjes së vërtetë të letërsisë shqipe në këto troje!

Intervistoi: FADIL GASHI

Jetëshkrim

Hans-Joachim Lanksch lindi në vitin 1943 në Braunschweig (RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Mynih, ku studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji. Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqiptare u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë me prof. Martin Camajn, i cili drejtonte atëbotë degën e albanologjisë në universitetin elitar “Ludwig-Maximilian” të Mynihut. Falë kësaj njohjeje zoti Lanksch nuk u shkëput më nga letërsia dhe lirika shqipe, duke bartur e përcjellë kandin e saj në hapësirën gjermanishtfolëse. Penda e tij bëri të kumtojnë dhe “rikrijojnë” gjermanisht shkrimtarë e poetë të spikatur, si: Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti etj. Vëmendje të veçantë u përkushtoi Përkthyesi Ynë për thuajse gjysmë shekulli prurjes së brezave të rinj të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, duke i bërë ata të njohur në letërsinë botërore bashkëkohore, si: Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Ledia Dushi etj. Puna e tij është laureuar me çmimet “Nikolaus Lenau” i Shoqatës së Artistëve në Esslingen (1999); “Penda e Argjendtë” (Tiranë 2002) dhe “Azem Shkreli” (2018).

Burimi: mapo.al