Vetëm 2.5 për qind e ndërtesave në RMV kanë mundësi qasjeje për personat me nevoja të veçanta

Nga gjithsej 533.659 ndërtesa në Maqedoninë e Veriut, vetëm 13.142 ose 2,5 për qind kanë mundësi qasjeje për personat me nevoja të veçanta, thuhet në grupin e katërt të të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave 2021. Kjo përqindje, çuditërisht e vogël, tregon se pothuajse asnjë nga investitorët në ndërtimtari nuk kujdeset për personat me nevoja të veçanta dhe nuk ndërton shtigje që këta persona të kenë qasje deri te objektet, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave, në vend ka 513.284 ndërtesa të cilat nuk kanë qasje për personat me nevoja të veçanta. Ka edhe 7.233 ndërtesa për të cilat nuk dihet nëse kanë mundësi për qasje për këta persona. Në Shkup, nga ana tjetër, 84.545 objekte nuk kanë qasje të tillë, kurse kanë vetëm 3.998 objekte. Komuna me numrin më të madh të objekteve, në të cilat nuk ka qasje të tillë, pas Shkupit, është Kumanova, ku ka 26.904 objekte banesore në të cilat nuk ka qasje për personat me nevoja të veçanta.

Suzana Stojanovska, nga shoqata “Një dozë lumturi”, thotë se edhe ata të cilët mendojnë pak për personat me aftësi të kufizuara ndërtojnë dhe qasje në objekte, edhe ata nuk e bëjnë këtë sipas standardeve dhe në shumicën e rasteve e bëjnë gabim.

“Në këto shtigje për qasje nuk mund të ngjitet ndonjë person i shëndoshë, e le më person në karrocë për invalidë. Ka një pjerrësi të saktë sipas së cilës duhet të ndërtohen. Tani risi është se ka ashensorë për karroca të invalidëve që vendosen në një shinë që karroca të mund të ngjitet shkallëve. Por kjo nuk mund të shihet askund në këtë qytet, megjithëse në vendet tjera ka mekanizma të tillë”, thotë Stojanovska.

Shtigjet për qasje, si dhe ashensorët specialë, duhet të jenë në dispozicion në çdo shkollë, shton ajo.

“Edhe nëse nxënësi nuk invalid, ka fëmijë që lëndohen, ndaj duhet të shkojnë në shkollë me këmbën në gips”. Për këtë nuk duhet menduar vetëm kur bëhet fjalë për personat me aftësi të kufizuara. Sa i përket objekteve të banimit, kjo duhet të rregullohet me ligj, gjegjësisht nëse dikush dëshiron të ndërtojë duhet të sigurojë qasje adekuate për personat me aftësi të kufizuara. Inspekcionet që i lëshojnë ato objekte në përdorim nuk duhet të japin leje nëse nuk ka qasje të tilla”, shton Stojanovska.

Ajo e ceku shembullin e një nëne të vetme në Gostivar dhe vajzës saj, të cilat çdo ditë mundohen për të hyrë dhe dalë nga ndërtesa.

“Gruaja e ka një vajzë, e cila është në karrocë invalidore, ndërsa ato jetojnë në katin e dytë. Ajo, në kuptimin e plotë fjalës, e bartë vajzën në duar, ndërsa ajo nuk është e vogël, është 16 vjeç. Së pari e bart të bijën e pastaj karrocën. Është mundim shumë i madh çdo ditë. Ka njerëz të cilët nuk kanë dalë nga shtëpitë e tyre me vite, sepse nuk kanë se si të dalin”, thekson Stojanovska.

Në përputhje me Programin për publikimin dhe shpërndarjen e të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave në vend, Enti Shtetëror i Statistikave, në grupin e katërt, publikoi të dhëna e regjistrimit që kanë të bëjnë me amvisëritë dhe familjet. Janë klasifikuar në bazë të përbërjes dhe madhësisë së tyre, mënyrës së furnizimit me ujë të pijshëm të amvisërive, numrit të banesave sipas numrit të banorëve në banesa, pajisjes së tyre me instalime dhe hapësira ndihmëse dhe disa nga karakteristikat e ndërtesave.

Përndryshe, ekziston Rregullore për mënyrën e sigurimit të qasjes, lëvizjes, qëndrimit dhe punës pa pengesa të personave me aftësi të kufizuara deri te dhe në ndërtesat publike dhe afariste, ndërtesat për banim, si dhe ndërtesat për banimi dhe afarizëm. Sipas nenit 2 të kësaj rregulloreje, mundësia për qasje, përmirësimi i mundësisë për qasje dhe përshtatja e ndërtesave sigurohet me projektim dhe ekzekutim të këtyre ndërtesave në mënyrë që përmban elemente për qasje dhe/ose i plotëson kushtet për përdorimin e mjeteve ndihmëse që personat me aftësia e kufizuar i përdorin në mënyra dhe në rastet e përcaktuara me këtë rregullore.

“Kur elementet për qasje janë edhe pjesë e rrugës për evakuim në rast rreziku, atëherë duhet të plotësojnë edhe kërkesat e rregulloreve të veçanta në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit dhe në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe shpërthimi. Pronari i objektit duhet të mirëmbajë elementet e qasjes pa i reduktuar kushtet për përdorimin e mjeteve ndihmëse nga personat me aftësi të kufizuara”, theksohet në rregullore.