Vendosen 85 kosha të rinj të mbetje të imët në Çarshinë e Vjetër të Shkupit

NP,,Higjiena Komunale’’-Shkup sot i promovoi koshat e rinj për mbetje të imët që filluan të vendosën në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe në zonën qendrore të qytetit.

Qyteti i Shkupit së fundmi u furnizua me 950 kosha të rinj të përcaktuar për mbetje të imët, nga të cilët 100 prej tyre janë të pajisur me qese për hedhjen e mbetjeve nga kafshët. Gjithsej 85 nga këta kosha u vendosën sot në Çarshinë e Vjetër, ndërsa 100 të tjerë janë vendosur në komunën Qendër.

,,Vendosja e koshave të rinj për mbetje të imët në masë të madhe do të kontribuojë për ngritjen e nivelit të higjienës së sipërfaqeve publike në qytetin tonë. Koshat do të vendosen në të gjitha komunat e Shkupit, ndërsa përveç Çarshisë së Vjetër dhe Kejit (bregut) 13-të Nëntori, gjatë ditës së nesërme do të vendosim 20 kosha edhe në Qendrën për Sport dhe Rekreacion ,,Matkë”. Qyteti i Shkupit i siguroi këta kosha, ndërsa është obligim i komunave dhe ekipeve të NP ,,Higjiena Komunale” – Shkup t’i zbrazin rregullisht, kurse nga qytetarët presim që me sjelljen dhe veprimin e tyre t’i ruajnë që për kohë sa më të gjatë të jenë funksional dhe të padëmtuar” – tha drejtori i NP ,,Higjiena Komunale” – Shkup, Abdusamed Shabani.

Kryetari i Shoqatës së Zejtarëve ,,Esnafi” Bejtulla Morina, falënderoi NP ,,Higjiena Komunale” – Shkup duke theksuar se kishte nevojë të madhe për vendosjen e koshave për mbetje të imët të paraparë për numrin e madh të vizitorëve të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.