Dy nxënës nga Maqedonia e Veriut janë lënduar në tërmetin në Turqi. Njëri nga nxënësit ka fraktura, ndërsa tjetri lëndime më të lehta, informoi Ministria e Punëve të Jashtme.
Në Turqinë juglindore, ku mëngjesin e sotëm është regjistruar një tërmet i fuqishëm, gjenden gjithsej nëntë shtetas nga Maqedonia e Veriut, tetë nxënës dhe mentori i tyre, të cilët përmes programit “Erasmus Plus” po qëndrojnë në Turqi dhe nuk janë në rrezik për jetë.
“Përfaqësitë tona pasi u informuan, kontaktuan nëntë nga qytetarët tanë që ndodhen në rajonin e goditur nga tërmeti. Bëhet fjalë për tetë studentë dhe një mentor/mësues të tyre, të cilët po qëndrojnë në Republikën e Turqisë përmes programit “Erasmus Plus”. Si pasojë e tërmetit, dy nga nxënësit kanë pësuar lëndime fizike: një student ka lëndime më të rënda – frakturë që aktualisht është në kujdes nga personeli mjekësor, duke u rikuperuar – ndërsa nxënësi i dytë ka lëndime të lehta. Asnjë nga studentët dhe mentori nuk janë në rrezik”, njoftoi MPJ.
Nga atje theksojnë se deri më tani nuk ka asnjë informacion për shtetas të tjerë tanë që janë në rrezik, apo që kanë nevojë për ndihmë.