Shkup, mbahet programi përmbyllës i Shkollës Rinore Ballkanike (Video)

Me pjesëmarrjen e kryetarit të Kuvendit të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, dje në Shkup u organizua Programi Vlerësues dhe Përmbyllës i Shkollës Rinore Ballkanike të realizuar në tetë vende të Ballkanit me mbështetje të Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).

Krahas kryeparlamentarit turk, në programin e organizuar nga Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATUSITEB) morën pjesë kryetari i YTB-së, Abdullah Eren, ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, kryekëshilltari i Kuvendit të Turqisë, Necip Fazıl Kurt, ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe shumë të ftuar të tjerë, raporton AA.

Në fjalën e tij me këtë rast, Şentop vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti dhe përgëzoi kontribuesit dhe pjesëmarrësit.

Şentop tha se aktivitetet e tilla janë shumë të rëndësishme për të rinjtë sidomos në botën e sotme dhe theksoi se rajoni në tërësi nuk është zemër vetëm e historisë së kohëve të fundit, por zemra e historisë botërore deri në kohët e lashta.

“Nëse paqja mbizotëronte në këtë rajon, atëherë paqja ishte me të vërtetë mbizotëruese edhe në Evropë dhe në mbarë botën. Por kurdo që kishte probleme dhe konflikte në këtë rajon, atëherë ka pasur probleme edhe në Evropë dhe pastaj në gjithë botën”, tha Şentop.

Şentop deklaroi se e rëndësishme për ta bërë paqen mbizotëruese në Ballkan është që brezat e rinj që të kuptojnë njëri-tjetrin dhe të jetojnë në paqe dhe të respektojnë njëri-tjetrin, ndërsa për ta arritur këtë, ai tha se është e domosdoshme të krijohen kontakte, takime, njohje dhe biseda.

Ai tha se shekulli i 20-të nuk ka qenë një shekull i mirë për sa i përket aspektit historik, për shkak të luftrave të shumta dhe humbjeve të miliona jetëve.

Şentop theksoi se shumë organizata të krijuara për ta garantuar paqen në këtë shekull nuk arritën ta kryejnë detyrën. Ai tha se një prej këtyre organizatave ishte edhe ajo e Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila, sipas tij, nuk arriti ta sigurojë paqen.

“Pse? Sepse pika bazë e themelimit të saj ëshë e mangët. Ajo u themelua nën kryesimin e fitimtarëve të luftës. Humbësit e luftës nuk u morën në udhëheqje. Siç e dini, pesë vende në OKB kanë të drejtë vetoje. Madje po të ketë një vendim të pranuar nga 195 prej 196 shteteve, ai vendim nuk është valid nëse një prej tyre, pra, një nga ato pesë shtete, vë veto”, tha Şentop.

– “Shkolla Rinore Ballkanike do të kontribuojë në zhvillimin e lidhjeve midis Turqisë dhe Ballkanit”

Ndërkohë, kreu i YTB-së, Eren, tha se Shkolla Rinore Ballkanike është një nga projektet e vizionit të këtij institucioni dhe rikujtoi se projekti për herër të parë është zbatuar në vitin 2011.

Ai tha se projekte realizohet në tetë vende të Ballkanit, ndërsa theksoi se Turqia ofron ndihma zhvillimore në rajone të ndryshme të botës me në krye Ballkanin.

“Brenda këtyre ka bursa për studim, si dhe ndihma dhe investime të TIKA-s, Yunus Emre-së dhe institucioneve të ndryshme të shtetit tonë”, tha Eren, duke theksuar se projekti i Shkollave Ballkanike ka disa qëllime.

“I pari është që vëllezërit tanë të rinj në Ballkan të njohin më mirë njëri-tjetrin. I dyti është se Turqia interesohet nga afër për këtë rajon dhe i kushton rëndësi, por më e rëndësishme se të gjitha ndihmat, është afrimi i botëkuptimeve të të rinjve”, tha Eren.

Duke theksuar se Shkolla Rinore Ballkanike do të kontribuojë në zhvillimin e lidhjeve midis Turqisë dhe Ballkanit, Eren tha se gjatë këtij programi nuk është bërë asnjë dallim në baza etnike apo fetare.

– “Projektet e suksesshme të YTB-së do të kontribuojnë në nivelin e arsimit në Maqedoninë e Veriut”

Ambasadorja turke Kara tha se YTB realizon aktivitete të rëndësishme në katër anët e botës që mundësojnë hapjen e horizonteve për të rinjtë dhe integrimin e tyre në vendet e tyre si individë të dobishëm.

Projekti kryesor në mesin e këtyre, tha Kara, është projekti i Bursave të Turqisë në nivelin diplomik dhe postdiplomik, që mundëson që të rinjtë të kontribuojnë në avancimin dhe mirëqenien e vendeve të tyre në saje të përvojave të fituara në Turqi.

“Unë besoj se YTB, e cila e trajton Maqedoninë e Veriut me kujdes dhe ndjeshmëri, do të kontribuojë në nivelin e arsimit të Maqedonisë së Veriut si vend mik dhe vëllazëror, duke zbatuar projekte të suksesshme në të ardhmen”, tha Kara.

“Të dashur studentë, ju jeni ambasadorë vullnetarë midis vendeve tuaja dhe Turqisë”, tha Kara duke iu adresuar të rinjve, ndërsa shtoi se punët e tyre në të ardhmen falë përvojave të fituara do t’u japin dimensione të reja marrëdhënieve dypalëshe.

Ndërkaq, ministri Ismaili e cilësoi si domethënëse organizimin e programit përmbyllës të Shkollës Rinore Ballkanike në Maqedoninë e Veriut.

Përmes projektit, tha ai, kombet e ndryshme në Ballkan do të kenë mundësi të kuptojnë dhe njohin më mirë njëri-tjetrin.

“Unë besoj se projekti i Shkollës Rinore Ballkanike do të përforcojë kulturën e bashkëjetesës së kombeve të ndryshme në këtë rajon dhe se paqja, stabiliteti dhe qetësia do të ruhen”, tha ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i MATUSITEB-it, Hüsrev Emin, tha se Turqia prej vitesh mbështet bashkatdhetarët në Ballkan dhe se këto mbështetje në fushën ekonomike, sociale dhe kulturore ka kontribuuar në zhvillimin e turqve Rumeli dhe rritjen e shpresës për të ardhmen te bashkatdhetarët dhe komunitetet mike. /AA

Shkup, mbahet programi përmbyllës i Shkollës Rinore Ballkanike http://v.aa.com.tr/1519171

Shkup, mbahet programi përmbyllës i Shkollës Rinore Ballkanike http://v.aa.com.tr/1519171

Posted by Anadolu Agency Shqip on Saturday, June 29, 2019