Fati i shkollave shqipe pas tërmetit në Shkup

Në disa dokumente të publikuara në lidhje me vitet para dhe pas tërmetit, shihet gjendja e arsimit shqip në Qytetin e Shkupit. Shqiptarët në atë periudhë ishin të vendosur kryesisht në komunat “Kala” dhe “Sahat Kullë”, komuna të cilat tashmë nuk ekzistojnë, transmeton Portalb.mk.

Dokumentet tashmë publike, janë të arkivuara në Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut (ASHRMV). Në këto dokumente shohim shkollat kryesore në të cilat zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe, si dhe përpjekjen e pushtetit për zhvendosjen e shkollës “Zef Lush Marku” nga Shkupi në Tetovë.

Gjithashtu problemi tjetër në atë kohë ishte edhe formimi i shkollave të përziera, që për arsimtarët shqiptarë konsiderohej si hap i rrezikshëm drejt asimilimit. Këto dokumente, gjithashtu tregojnë se sa nxënës shqiptarë kanë ndjekur mësimin.

Fragmente nga dokumentet tashmë publike, që kanë të bëjnë me arsimin shqip në Shkupin e vitit 1963.

Para tërmetit katastrofal në Shkup edhe atë në komunat “Kalaja” dhe “Sahat Kulla”, me përjashtim të paraleleve të mësuesve me mësim në gjuhën turke, punoni shkollat vijuese me mësim në gjuhën shqipe:
*Shkolla fillore “Liria” me 142 paralele, 1802 nxënës dhe 52 punëtorë arsimore;

*Paralele me mësim në gjuhën  shqipe në shkollën “Rajko Zhinzifov” me 300 nxënës dhe 8 mësues;

*Shkolla e mësuesve “Zef Lush Marku” me 453 nxënës dhe 24 mësimdhënës.

Sipas konstatimeve të komisioni të fundit profesional, pjesë të ndërtesës shkollore të “Zef Lush Markut” me 7 kabinete, tre hapësira, sallë të madhe, kuzhinë komplete, dushe dhe hapësira të tjera, me meremetimin e nevojshëm mund të shfrytëzohen. Përndryshe, shkolla e mësuesisë do të vendoset në hapësirat e shkollës për nxënës në ekonominë “Koce Metalec”.

Duke e pasur parasysh faktin që një pjesë e mirë e shtëpive në “Kala” dhe “Sahat Kullë”  do të përshtaten për jetë të përkohshme pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare dhe turke do të shpërngulen në banesat e tyre e me këtë edhe nxënësit nga radhët e pakicave sërish në masën më të madhe do të jenë të përqendruar në këta komuna.

Nga materialet e organeve arsimore të Këshillit të Qytetit për organizmin e mësimit për vitin shkollor 1963/64 shihet se problem i shkollave të pakicave do të zgjidhet edhe atë me formimin e shkollave të përziera në të cilat do të ketë paralele edhe për nxënësit e pakicave nacionale. Ky koncepcion është i drejtë. Duke e pasur parasysh  numrin e vogël të paraleleve në paralelet e larta për nxënësit e radhëve të pakicave sigurimi i kuadrit përkatës mësimor paraqet vështirësi të posaçme.

Për këtë arsye është e nevojshme të formohen dy shkolla qendrore edhe atë një me mësim në gjuhën shqipe dhe një me mësim në gjuhën turke. Në të njëjtat do të mundet të formohen edhe paralele për nxënës maqedonas. Në mënyrë të këtillë do të mundet që në klasat e larta të paraleleve me nxënës të pakicave nacionale të organizohet mësimi. Vendosja e këtyre shkollave do të mundeshe të jetë nga një në komunat “Kalaja” dhe “Sahat Kulla”. Qëndrim I këtillë ekziston edhe te organet arsimore të komunave “Kalaja” dhe “Sahat Kulla”.

Sipas propozimit të Sekretariatit republikan për arsim, Shkolla e mësusesi “Zef Lush Marku” duhej të shpërngulet në Tetovë. Kjo u shpall edhe nëpërmjet shtypit. Për të njëjtin propozim këshilli shkollor dhe këshilli i mësimdhënësve të shkollës nuk kishin konsultuar. Konkluzioni i Këshillit shkollor dhe kolektivit të mësimdhënësve ishte që Shkolla e Mësuesve “Zef Lush Marku” të mbetet në Shkup. Mbajtja e shkollës në Shkup, gjithsesi do të kishte jo vetëm oportunitet arsimor-pedagogjik, por edhe politik. Është e njohur se qëndrimi paraprak në rekomandimin e këshillit Arsimor-pedagogjik të Kuvendit të RSM-së është modifikuar, kështu që shkolla mbetet në Shkup.

Sa i përket kuadrit arsimor dhe mësimor të këtyre shkollave ai gjendet në Shkup. I njëjti është i vendosur në lagjet e formuara ose në oborret e banesave të tyre. Sipas deklaratave të drejtuesve të shkollave, pjesa më e madhe e kuadrit mësimor, rreth 90% gjatë dimrit do të vendoset në banesat e tyre të riparuara ndërsa për të tjerët do të duhet të sigurohen banesa.

Sipas të dhënave të Sekretariatit Republikan për arsim në territorin e RS të Serbisë, respektivisht Kosmet deri më 31.VIII.1963 gjenden 1063 nxënës të shkollave fillore të cilët mësojnë në gjuhën shqipe, ndërsa 280 nxënës që mësojnë në gjuhën turke. Megjithatë ky numër është në rënie të vazhdueshme.

Për nxënësit që do të mbeten në territorin e RS të Serbisë, ekziston pajtueshmëri mes Sekretariateve për arsim të Serbisë dhe Maqedonisë, nxënësit me mësim në gjuhën shqipe të bashkëngjiten në mësimin e rregullt në shkollat ekzistuese ku janë evakuuar.

Shfaqen vështirësi rreth hapësirës shkollore në Kaçanik dhe Ferizaj. Fondi republikan për shkollim në RS të Serbisë do të përcaktojë mjete për ndërtim të 3-4 klasave në Kaçanik dhe 1-2 në Gjeneral Jankoviç (Hani i Elezit). Përveç kësaj do të sigurojë edhe 1.200.000 dinarë për pajisje shkollore.

Në vendosjen e procesit shkollor në Shkup, pas tërmetit, që shkollat të formohen sipas parimit territorial, respektivisht në një shkollë të ketë paralele me gjuhë të ndryshme mësimore, te disa punëtorë arsimorë nga radhët pakicave shprehet brengosje për fatin e shkollave me mësim në gjuhën shqipe dhe turke. Me këtë rast janë shfaqur tendenca që të rruhen shkollat ekzistuese, në të cilat mësimi realizohet vetëm në gjuhën turke, respektivisht në gjuhën shqipe, me motivacionin se vetëm nëpërmjet shkollave të pastra nacional do të mund të ruhet më mirë qenia nacionale e pakicave përkatëse ndërsa në të kundërtën e njëjta do të jetë e manifestuar në asimilim.

Reagim të posaçëm te një pjesë e inteligjencës arsimor shqiptare ka shkaktuar propozimi i sekretarit Republikan për arsim për shpërnguljen e Shkollës së Mësuesisë “Zef Lush Marku” në Tetovë.