DONACIONI/ Ecolog dhuron dhjetë makina të ndihmës së shpejtë

Dhjetë auto ambulanca nga kompania tetovare Ecolog u janë dorëzuar disa prej spitaleve në RMV. Ky donacion, sic u tha, synon fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve të sektorit të emergjencës, sidomos tani në periudhën e pandemisë kur nevojat e qytetarëve për ndihmën e shpejtë mjekësore janë shtuar ndjeshëm.

Dhjetë autoambulanca të kompletuara me të gjitha pajisjet dhe aparaturat mjekësore janë dhënë këtë të premte donacion nga kompania tetovare “Ecolog” për disa nga spitalet e vendit. Aktivitetet nga sfera e përgjegjësisë shoqërore, sic thanë përfaqësues të kompanisë , për dekada me radhë kanë qenë pjesë e pandashme e “Ecologut”.

SEID JUSUFI – PËRFAQËSUES I ECOLOG-ut

“Në këtë periudhë dyvjeçare është shëndetësia ajo që ka marrë më shumë vëmendje. Së këndejmi nga Kryetari I Bordit Këshilldhënës z.Lazim Destani erdhi edhe iniciativa për dhurimin e këtyre dhjetë autoambulancave. Besojmë se ky donacion do të jetë një kontribut për fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ndihmë për punonjësit e shëndetësisë në betejën e tyre kundër COVID-19”

Nga ana tjetër Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Shëndetësië, Ivanka Stojanovski theksoi se Kompania Ecolog është një shembull se si një organizatë duhet dhe mund të punojë për të mirën e të gjithëve.

IVANKA STOJANOVSKA- SEKRETARE SHTETËRORE NË MSH

“Donacioni juaj do të jetë me përfitim të madh për Institucionet Shëndetësore dhe personelin mjekësor dhe më e rëndësishmja, do të ndihmojë drejtpërdrejt në shpëtimin e jetëve njerëzore. Faleminderit paraprakisht për çdo ndërhyrje në kohë dhe çdo jetë të shpëtuar”.

Spitalet përfituese të këtyre autoambulancave u përcaktuan sipas konsultave paraprake me autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, kanë bërë të ditur nga kompania. Për spitalin e Tetovës u ndanë dy autoambulanca dhe nga një për spitalet e qyteteve Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë, Manastir, Veles dhe Shtip. /KlanMacedonia