Teatri Shqiptar i Shkupit më 27 dhe 29 tetor do të shfaq premierën e veprës së novelistit dhe dramaturgut rus, Anton Pavloviç Çehov, “Tri motrat”, me regji nga Qëndrim Rijani, shkruan Portalb.mk.
Në këtë shfaqje në rolet kryesore do të interpretojnë aktoret Armenis Nokshiqi, Zarije Jonuzi Çeliku dhe Sabina Memishi.
Komedia romantike “Tri motrat” është një ndër kryeveprat e Çehovit dhe një ndër veprat më të shfaqura në teatrot botëror. Ngjarjet e veprës zhvillohen në një provincë të Rusisë në një familje të thjeshtë ku brenda saj jetojnë tri motra dhe një vëlla. Olga, motra e madhe, e cila jep mësim në gjimnaz; Masha, motra e dytë është martuar me Kulliginin një mësues; Andreji, vëllai i tyre i pasionuar pas violinës, është punonjës në administratën lokale të qytetit i martuar me Nataljen; Irina, motra e vogël, punon telegrafiste.
Motrat janë vajza me botë shumë të pasur intelektuale dhe shpirtërore. Kanë ëndrra dhe pasione për jetën, kërkojnë dashurinë e vërtetë dhe thirrja e tyre e fortë është “të shkojmë në Moskë”.