Çfarë shkruajnë mediat ndërkombëtare për shembjen e Teatrit Kombëtarë në Tiranë

Mediat ndërkombëtare u kanë bërë jehonë zhvillimeve dramatike në Shqipëri. Televizionet dhe mediat e njohura online në Itali, Francë, vende të tjera të BE dhe SHBA kanë pasqyruar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, duke e vlerësuar si shkatërrim të një objekti të rëndësishëm kulturor. Gjithashtu, mediat flasin për dhunën e pazakontë ndaj artistëve dhe sinjalin e keq që jep arrestimi i drejtuesve të opozitës; si Monika Kryemadhi dhe ish-deputetë e tjerë të PD dhe LSI.

AP: Policia u përlesh me protestuesit, Monika Kryemadhi u fut në furgon policie!

Për zhvillimet në Tiranë, Associated Press shkruan: “Policia shqiptare është përleshur me mbështetës të opozitës, të cilët po protestonin për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar të vendit në kryeqytetin e Tiranës”. Në shkrim theksohet se “Policia largoi me forcë një grup artistësh dhe disa drejtues të opozitës nga ndërtesa e Teatrit mëngjesin e kësaj të diele para se makineritë e rënda të fillonin ta rrëzonin atë.

Vendimi i qeverisë për të shkatërruar Teatrin e vjetër Kombëtar, të ndërtuar nga italianët kur ata pushtuan Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u kundërshtua nga artistë dhe të tjerë që e donin atë të rinovuar.

Një politikan i opozitës tha se 30 persona, përfshirë një gazetar, u arrestuan nga policia. Autoritetet nuk e kanë komentuar raportimin.

Pamjet televizive treguan Monika Kryemadhin, drejtuese e një partie të vogël opozitare dhe bashkëshorte e Presidentit të vendit, duke u futur në një furgon policie. Pozita e presidentit në Shqipëri është kryesisht një post ceremonial.

Drejtuesi i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, u kërkoi qytetarëve të rrëzonin qeverinë për shkatërrimin e teatrit”,- sqarohet ne shkrimin e AP.

Media franceze shkruan për Teatrin Kombëtar: Mbrojtja e tij simbol i rezistencës ndaj pushtetit autoritar të Ramës

Media kryesore e gjuhës frënge në Evropën Juglindore që nga viti 1998 Le Courrier des Balkans i ka kushtuar një artikull asaj çfarë po ndodh në Tiranë me prishjen e Teatrit Kombëtar.

Në një postim në Twitter, Le Courrier des Balkans e cilëson mbrojtjen e Teatrit për 27 muaj simbol të rezistencës ndaj pushtetit gjithnjë e më autoritar të kryeministrit Edi Rama. “Shqipëri, Teatri Kombëtar në Tiranë u shkatërrua këtë mëngjes nën mbrojtjen e një force të madhe policie. Mbrojtja e tij, për 27 muaj, ishte një nga simbolet e rezistencës ndaj pushtetit gjithnjë e më autoritar të kryeministrit Edi Rama”, shkruan media franceze teksa shpërndan shkrimin e saj për Teatrin ku flet për shkatërrimin e godinës së teatrit në orët e para të ditës së sotme”,- shkruan Currier.

Gazetari i BBC: Ditë e keqe për kulturën dhe demokracinë në Shqipëri

Lajmi i shembjes së Teatrit Kombëtare në Shqipëri ka indinjuar jo vetëm qytetarët shqiptarë, por dhe personalitete dhe gazetarë në gjithë botën. Charles Haviland, një gazetar i njohur i BBC, shkruan në Twitter se në Shqipëri u shemb një teatër me arkitekturë moderne, i ndërtuar nga Italia gjatë viteve ’30. Ai citon reagimin e Europa Nostra duke u shpreh se “sot është një ditë e keqe për kulturën dhe demokracinë në Shqipëri”.

Patrick Holmström gazetar finlandez shkruan sot “qeveria e Partisë Socialiste shkatërroi një perlë kulturore”.

BIRN, Rrjeti Investigativ Ballkanik: Teatri u shemb pa asnjë vendim të ligjshëm, ra shteti i së drejtës

Me një urdhër surprizë që duket se nuk është bazuar në asnjë vendim të ligjshëm, kryeministri Edi Rama shembi natën e kaluar ndërtesat historike të Teatrit Kombëtar në atë që disa kritikë e quajtën instalim diktature në Shqipëri. Policia shqiptare rrethoi zonën e Teatrit Kombëtar në qendër të Tiranës ndërsa fadromat shembën ndërtesat historike rreth orës 4 të mëngjesit të 17 Majit 2020, duke shënuar në këtë mënyrë fundin e një beteje që vijoi prej dy vjetësh e gjysmë.

Kryeministri Edi Rama mori vetë përgjegjësinë për shembjen duke deklaruar në orët e para të mëngjesit se shembja po bëhet për t’i hapur rrugë ndërtimit të një teatri të ri ndërsa shau mbrojtësit e trashëgimisë kulturore si njerëz që nuk e duan zhvillimin. Por shembja e kryer në mes të natës është bërë dukshëm pa një vendim të ligjshëm dhe të vlefshëm, duke ngritur pikëpyetje nëse Shqipëria vijon të jetë një vend i sundimin e ligjit. Këshilli Bashkiak i Tiranës raportohet se mori një vendim për shembje të Enjten e kaluar, por vendimet e këshilleve bashkiake hyjnë në fuqi dhjetë ditë pas publikimit dhe jo menjëherë. Në orët e para të mëngjesit të së Dielës, ndërsa rruspat e kryeministrit rrafshonin objektin historik, një numër qytetarësh shtynë forcat e shumta policore duke sfiduar rrezikun e koronavirusit. Regjisori Edmond Budina, një nga mbrojtësit e Teatrit, deklaroi se shembja e ndërtesës shënon edhe ditën e vendosjes së një diktature në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Tiranë, prishet në orët e para të mëngjesit Teatri Kombëtar

Në Shqipëri, në orët e para të mëngjesit, mjetet e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit ndërhynë duke shembur godinën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, ndërsa e gjithë zona u rrethua me forca të shumta policie, të cilat ndërhynë më parë forcërisht duke shpërndarë grupet e artistëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës që ndodheshin me ta. Tensionet kanë vijuar për orë të tëra ndërsa mësohet se disa dhjetra persona, mes tyre artistë të ndryshëm që kundërshtojnë prej gati dy vitesh projektin për prishjen e Teatrit, si dhe drejtuesja e Lëvizjes socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, janë shoqëruar në polici. Mes të shoqëruarve dhe gazetari dhe analisti Alfred Lela. Ndërsa e gjithë zona vijon të mbetet e rrethuar dhe mjetet e rënda avancojnë me prishjen e godinës, tensionet mbeten të larta, me qindra persona po protestojnë ndaj veprimeve të autoriteteve. Kryetari demokrat Lulzim Basha foli per dhunë barbare dhe paligjshmëri dhe njoftoi një mbledhje të opozitës për të vendosur qëndrimin që do të mbahet pas këtyre zhvillimeve: “Opozita do të mblidhet sot, koalicioni opozitar do të mblidhet sot dhe do të ndërmarrë veprimet politike. Ajo që çdo shqiptar e kupton sot nga kjo ngjarje është se me Edi Ramën paligjshmëria, dhuna dhe pabesia do të vazhdojnë. Nuk do të ketë fund dhuna, paligjshmëria edhe padrejtësia pa marrë fund kjo qeveri dhe pa u larguar ky njeri. Nuk ka rrugë tjetër”, deklaroi zoti Basha. Pasi u lirua nga policia ku u mbajt disa orë, zonja Kryemadhi foli me tone të ashpra. “Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos e njohin shtetin e Edi Ramës. Mos të njohin asnjë gjë, që është mbijetesë. Mos e përdorni fjalën revolucion se na shqetësohen ambasadat, iu duket fjalë e keqe por harrojnë që këlyshët e komunizmit i kanë aty dhe me ndihmën dhe pazaret e tyre”. Presidenti Ilir Meta, i cili ka kundërshtuar publikisht projektin për shembjen e Teatrt Kombëtar reagoi sot me tone të ashpra. “Mafia urdhëroi shkatërrimin, jo vetëm të një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Dhunimi i njëkohshëm i artistëve dhe gazetarëve është një damkë e zezë për Mafien në pushtet. Ky është një krim kushtetues, ligjor dhe moral i paamnistueshëm”, shkroi zoti Meta në një postim në Facebook.

Ndërsa numri i qytetarëve që kanë sfiduar rregullat e ndalimit të lëvizjes për shkak të pandemisë COVID 19, e që po grumbullohen në zonën rreth Teatrit po shtohet, tensionet vijojnë të mbeten të larta. Herë pas here ka përpjekje për të çarë kordonin e policisë, të cilat sprapsen me forcë nga policia. Në zonë janë shfaqur dhe njësitë e trupave speciale. Përmes një reagimi në Twitter, delegacioni i Bashkimit Europian u shpreh se ka ndjekur “me shqetësim të thellë zhvillimet e situatës në terren. Prishja e Teatrit Kombëtar erdhi në një kohë kur ne kërkuam dialog midis autoriteteve dhe shoqërisë civile para se të merrej një vendim i pakthyeshëm. Na vjen keq që kjo thirrje nuk u ndoq nga institucionet përkatëse kombëtare dhe vendore”. Në orët e para të ditës, kryeministri Edi Rama postoi në Facebook një video të shkurtër të disa projekteve të realizuara në Tiranë por që kishin hasur në kundërshtime të forta. Ai shprehet se “janë të njejtët që ngrihen kundër çdo lloj projekti në Tiranë. Nuk e duan zhvillimin, por Tiranën nuk e ndalin dot!, shkruajti zoti Rama.

DW: Shembet Teatri Kombëtar në Tiranë

Përplasje e policisë me protestuesit, thirrje për rrrëzimin e qeverisë Rama. Ka pasur edhe të arrestuar dhe të lënduar. Policia e Shtetit nisi në orët e para të mëngjesit tw sotëm shembjen e Teatrit Kombëtar, i konsideruar si pjesë e trashëgimisë kulturore europiane nga Forumi ” Europa Nostra” dhe një nga 7 objektet e rrezikuara të marra në mbrojtje prej tij. Qytetarë të Tiranës dhe mbështetës të opozitës jashtë parlamentare po protestojnë kundër shembjes dhe përplasen me forcat e  shumta policore ne mjediset rreth Teatrit Kombëtar. Burime nga Lëvizja “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, e krijuar në vitin 2018 thanë për DW se para shembjes policia nxorri nga mjediset e teatrit artistët që prej më shumë se një jave ruanin teatrin duke paralajmëruar rrezikun e një përplasjeje civile. Aktori dhe regjizori Edmomd Budina, tha për DW, pas mesnatës së djeshme se ” kishte informacione që policia do te fillonte shembjen”. Para mbrritjes së mjeteve të rënda “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, iu drejtua faktorit ndërkombëtar të pranishën në Tiranë, delegacionit të BE, ambasadorëve të vendeve të tij të akredituar në Shqipëri dhe Presidentit Meta të ndalonin shembjen. Teatri Kombëtar u ndërtua nga arkitektë italianë dhe u inaguria ne vitin 1938, në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë. Artistët kërkonin rinovimin e tij dhe ruajtjen e ndërtesës si pjesë e trashëgimisë dhe traditës kulturore të Shqipërisë. Shembja e Teatrit Kombëtar erdhi pas vendimit të Qeverisë për ta kaluar administrimin e tij nga Ministri ae Kulturës tek Bashkia e Tiranës. Protesta vazhdon me thirrje për rrëzimin e qeveriseë Rama dhe parullën “Poshtë Diktatura”.

Burimi: Kohajone