AUDIENCA E VACLAV HAVELI/ Nga Kosova sonte shfaqet në Shkup

Shfaqja kamertale “Audienca e Vaclav Havelit” nga Kosova sot shfaqet në Shkup, me fillim në ora 20:00, në Teatrin Shqiptar të Shkupit. Drama është e shkruar nga Jeton Neziraj, një prej dramaturgëve më të suksesshëm kosovar dhe është në regji të Agon Myftarit, regjisor i vlersuar dhe i mirënjohur shqiptar. Shfaqja u realizua në produksion të Qendrës Multimedia. Për Portalb.mk flet Agon Myftari për mbarëvajtjen e shfaqjes.

“Premiera e shfaqjes ishte në nentor të viti 2020 në Prishtinë. Duke i pasur parasysh vështirësitë e pandemisë, me këtë produksion kemi udhëtuar vetëm në Tiranë. Jam shumë i gëzuar që sot po vijmë në Shkup. Kam punuar gjashtë projekte në Teatrin Shqitar dhe për Fëmijë. Nuk di t’i veçoj se te cila shfaqje kam kaluar më mirë. Çdo eksperiencë e imja atje ka qenë jashtëzakonisht e mirë. Kam një lidhje shumë të veçantë me Shkupin, me teatrin dhe kolegët e mi atje. Nuk di ta ndaj Shkupin prej Prishtinës.” u shpreh Myftari.

Shfaqja “Audienca e Vaclav Havelit” është e bazuar në ngjarje të vërteta. Agoni dhe Jetoni kanë nxjerrë përvoja personale të përbashkëta që kanë përjetuar në teatër. Deri më tani janë dhënë 20 repriza të shfaqjes dhe gjithnjë salla ka qenë plot me publik. Aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje janë Shpëtim Selmani dhe Dukagjin Podrimaj, dy aktotë të brezit të ri, të dalluar dhe shumë të talentuar.

“Shfaqja është e bazuar tek audienca e dramaturgut, politikanit, shkrimtarit Vaclav Havel. E gjithë shfaqja ka të bëjë kryesisht me byrokracinë, kur një hetues vjen në teatër për ta hetuar një drejtor teatri, me një dosje të teatrit. Për një orë sa zgjat shfaqja, shpaloset një rrëfim interesant mes drejtorit të teatrit dhe hetuesit. Por, nga ana tjetër, shpalos një raport mes byrokracisë në një shtet autoritar, i cili e ka ndërtuar një kullë prej rregulloreve.” tha Agon Myftari.

Agoni vetëm në Shkup ka punuar gjashtë shfaqje, duke përfshirë tre në Teatrin Shqiptar të Shkupit dhe tre në Teatrin për Fëmijë. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që punët, veprat e artistëve të shkëmbehen mes Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës.

“Nuk është vetëm pandemia që e vështirëson shkëmbimin e këtyre përvojave mes vete. Por, është mungesa e përkrahjes institucionale për të krijuar bashkëpunime. Ndonjëherë është edhe vetëdembelia e artistëve për t’i lidhur këto tri qendra shqiptare në fushën e teatrit. E pakta që mundemi të bëjmë është që t’i shpërndajmë shfaqjet që ne i punojmë nëpër qytete të tjera. Kjo është shumë e rëndësishme që të bëhet.” tha Agoni.

Vitet e fundit, Agoni ka qenë shumë aktiv me projekte. Për planet e së ardhmes nuk e parapëlqen të flasë, pasi që teatri është i paparashikueshëm. Por, ai na tha që ka shumë plane, tekste dhe ftesa nga teatro të ndryshme nga Kosova dhe gjithçka mbetet për t’u parë.