Sonte në Shkup ekspozita me veprat e të madhit Rexhai Hyseni

Në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, sonte në objektin Çifte Hamam në orën 20:00, do të hapet ekspozita retrospektive monografike e artistit Rexhai Hyseni (1939-2018). Rexhai Hyseni ka lindur në fshatin Mateç në vitin 1958, ka kryer Shkollën e Pedagogjisë në Shkup. Bazat e artit figurativ i mori në Shkollën Pedagogjike dhe nga mësimet e Kiro Karaxhës. Pas pauzës disavjeçare ku mori pjesë në disa shkolla fillore, vazhdoi të formohej në Akademinë Pedagogjike te profesori Vangell Koxhoman. Këtu merr njohuritë e para të pikturimit klasik në shenjën e “shkollës së vjetër të pikturës” e cila transmetonte shkathtësitë pa pikë egoizmi, si dhe mënyrat për zotërimin e teknikave të pikturës, zbulimin e “sekreteve të vogla të mjeshtërve të mëdhenj” , zotërimin e elementeve të artit figurativ dhe integrimin e tyre në një dorëshkrim vetjak.
Gjatë jetës së tij ka realizuar shumë ekspozita dhe ka marrë pjesë në disa të tjera grupore. Është fitues i Çmimit të Nëntorit të qytetit të Kumanovës në vitet 1976 dhe 1995. Çmimi Kombëtar “23 tetori” i është dhënë në vitin 2016. Mbi krijimtarinë e artistit, në botimin monografik, gjendet dhe teksti autorial i historianit të artit z. Goce Bozhurski, i cili për vite të tëra ka hulumtuar veprimtarinë e Rexhai Hysenit. Botuese e monografisë është Galeria Kombëtare e Maqedonisë së Veriut, e mbështetur nga Ministria e Kulturës.
Në këtë ekspozitë do të ketë rreth dyzet krijime vizatimore, të periudhave të ndryshme kohore dhe teknika në të cilat ka krijuar dhe Rexhai Hyseni. Të gjitha këto do të qëndrojnë në ambientet e Çifte Hamamit deri më datën 8 tetor 2019. (INA)