Sekretet e pikturës më të shtrenjtë në botë

Në nëntor të 2011-s, një pikturë e vogël e Renesancës, e njohur si “Salvator Mundi” (Shpëtimtari i botës) u ekspozua në Galerinë Kombëtare në Londër.

Ishte kjo një pikturë imponuese, hijerëndë, disi e çuditshme: portretizonte figurën prej gjysmës së gjatësisë të Krishtit me flokë kaçurrelë ngjyrë kuqërremë, që mban në dorë një sferë transparente kristali. Edhe më imponues ishte përshkrimi, i cili e paraqiste atë si punimin më të ri, të zbuluar të Leonardo da Vinçit, shkruan sot Koha Ditore.

Ky atribuim, me peshë të madhe për botën e artit, ishte kundërthënës për shkaqe të shumta, jo së paku për shkak se – në kundërshtim të politikave të Galerisë Kombëtare – e rrit drastikisht vlerën në treg të një vepre arti në pronësi private. Pronarët e tij deri në atë kohë mbaheshin mister: një “konsorcium” amerikan qe përmendur në këtë mes. Ama në fakt, pronarë ishin dy tregtarët të mesëm njujorkezë, Robert Simon dhe Alex Parish, të cilët e kishin blerë pikturën më 2005 bazuar në intuitë, kur ishte në gjendje jo të mirë, në një ankand diku në New Orleans.

Paguan për të 1.175 dollarë. I pastruar dhe i restauruar nga Dianne Modestini, i identifikuar qartësisht nga ekspertët e punimeve të Leonardos, si Martin Kemp dhe David A. Brown, dhe i lansuar me lejen e Galerisë Kombëtare, “Salvator Mundi” ishte shfaqur para botës. Pas pesë shekujsh në errësirë, piktura përnjëherë bëri famë ndërkombëtare.