“Vallja e Tropojës” është një nga thesaret më të çmuara të trashëgimisë kulturore e artistike të Shqipërisë dhe duhet të promovohet edhe më tej, për t’u bërë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.
Për këtë, presidenti Ilir Meta ka takuar kryetarin e shoqatës “Kcimi i Tropojës”, Skënder Haklaj, me të cilin tha se duhet bërë shumë më shumë për ruajtjen e kësaj pasurie folklorike të Malësisë së Gjakovës dhe bërjen e saj pjesë të UNESCO-s, së bashku me pasuritë e tjera kulturore shqiptare, përcjell albinfo.ch.
“Vallja apo “Kcimi i Tropojës” është e lashtë sa vetë popullsia e kësaj krahine dhe është karakteristike vetëm për këtë zonë në veri të Shqipërisë”, tha presidenti.
Kjo pasuri e çmuar kombëtare është shpallur nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave si pjesë e listës së kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore jomateriale.