Premierë e filmit “Shelgu” në Qendrën e Kulturës në Ohër

Filmi i shumëpritur “Shelgu” i regjisorit të mirënjohur maqedonas Millço Mançevski do ta ketë premierën e tij në Qendrën e Kulturës në Ohër.

Filmi “Shelgu” e paraqet historinë e tre grave maqedonase të cilat nuk tentojnë ta ndryshojnë shoqërinë mirëpo lufta e tyre për të qënë nëna i bën ato heroina të këtij filmi.

Ky është filmi i parë që e realizon regjisori Mançevski pas 9 vitesh në Maqedoni. “Shelgu” është film në të cilin gërshetohen tre histori për dashurinë dhe besimin, njëra nga Maqedonia mesjetare ndërsa tjerat janë të kohës. Edhe pse i ndajnë shekuj, personazhet e filmit në fjalë i bashkojnë vuajtjet, gëzimet dhe endërrat.

“Ky është një film për dashurinë, nuk është me rëndësi cila është tema dhe porosia e një vepre artistike, me rëndësi është ajo të prekë, të të bëj të qash, të buzëqeshësh dhe të të hidhërojë.”, u shpreh regjisori Mançevski.

Në rolet kryesore paraqiten aktorët e rinj: Nikolla Risteski, Sara Klimoska, Natalija Teodosieva, Nenad Nacev dhe tashmë e njohura Kamka Tocinovski. Përkrah tyrë film paraqiten edhe Petar Mirçevski, Blagoj Çorevski, Ratka Radmanoviç, Ana Kostovska, Llaze Gjorevski, Adem Karaga, Jelena Jovanova Periq dhe të tjerë.

Inçizimi i filmit është bërë në lokacione të ndryshme në Maqedoni, mes të cilave edhe fshatrat e bukura të rajonit të Mariovës: Shtavica, Dunje dhe Zoviç, pastaj në rajonin e Prespës dhe lokacione të ndryshme në Shkup.

Filmi është produkt i “Banan Film” dhe është koproduckion maqedonas, hungarez dhe belg, me pjesëmarrje edhe të Shqipërisë.