Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

KRIJIMTARIA/ I zhvlerësuar në shtëpi, i vlerësuar në Vjenë! Kompozitori nga Prishtina, me një opera për Sirinë

Kompozimi i operës nuk është aq i zakonshëm në Kosovë, por artisti nga Prishtina Trimor Dhomi, ka bërë të pazakonshmen.

Vepra e tij muzikore është zgjedhur si premierë në Festivalin e Muzikës në Vjenë, dhe kjo erdhi pak pasi institucionet e kulturës në Prishtinë “e hodhën në kosh” përpjekjen e tij për të garuar me kompozimin e veçantë.

Me një temë jo aq pritshme për banorët e qytetit me njëmijë halle, Trimor Dhomi do të dalë me kompozimin që ka në fokus dhimbjen e refugjatëve sirianë që lanë shtëpitë e tyre.

I inspiruar nga vuajtjet e fëmijëve sirianë, Dhomi, dikur refugjat edhe vet, është zgjedhur si i pari në listën e garuesve për “Vienna Summer Music Festival”.

“Në Kosovë, projekti im nuk është mbështetur, nuk është komentuar, e as nuk është marrë në dorë, e bile, është ofenduar”, tregon Dhomi për Balkan Insight, duke shtuar se si njëri nga komisioni vlerësues i kishte thënë se “kishte bërë një punë të dobët”.

Trimori thotë se e ka bërë këtë kompozim ngaqë e kupton ndjenjën kur “askush s’të pranon”.

Ai është kompozitor me traditë brenda familjes, pasi babai i tij Rauf Dhomi është ndër të parët kompozitorë në Kosovë. /tesheshi.com/