Suksesi i Blertës, historia e Fahrijes e rikthimi i Yllkës – HIVE, filmi që “zgjoi” suksesin e munguar prej vitesh në kinematografinë vendore

Filmi “Hive (Zgjoi)” bëri historinë në kinematografinë vendore, duke rrëmbyer tri çmime në atë që njihet si një prej festivaleve më me renome të filmit në botë, Sundance Film Festival.

Ky film i metrazhit të gjatë u shpërblye me çmimet: ‘Filmi më i mirë’, ‘Regjisorja më e mirë’, dhe ‘çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në ShBA’.

“Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, është një pasqyrë e plagëve ende të hapura të luftës së fundit në Kosovë (1997-1999), të cilat u reflektuan me një numër të madh të të pagjeturve, e kryesisht një mal vështirësish për ata që janë ende në kërkim…

Ky është rasti konkret i Fahrijes, personazhit kryesor në film – një grua e ve nga Krusha e Madhe e cila përball paragjykimeve dhe patriarkatit del hapur me sfidën për të ecur para në jetë, për të shikuar përpara me vizionin e një të ardhme më të mirë, ndoshta jo vetëm për familjen, por për mbarë regjionin e Krushës së Madhe.

Kopertina e filmit “Hive (Zgjoi)”

Një rol i luajtur shkëlqyeshëm nga aktorja Yllka Gashi, Fahrija erdhi në vitin 2021 si një rikujtim për të gjithë shqiptarët, për të vënë në dukje rolin e grave të veja dhe vështirësitë me të cilat ato u përballën në periudhën e pas-luftës.

Telegrafi në këtë rekapitullim sjell një përmbledhje të të gjithë suksesit që shënoi filmi “Zgjoi”, me rrëfime nga dora e parë e projektit filmik, regjisorja Blerta Basholli, nga gruaja që inspiroi historinë, Fahrije Hotin, si dhe nga aktorja e rolit kryesor, Yllka Gashi.

Blerta Basholli, regjisorja e filmit “Zgjoi” që shënoi arritjen historike në Kinematografinë e Kosovës

Blerta Basholli (Foto: Blerta Basholli/Facebook)

Regjisorja Blerta Basholli tregoi për Telegrafin se emocionet pas pranimit të tri çmimeve në Sundance Film Festival janë akoma prezentë, ngase një sukses të tillë nuk e kishte parashikuar.

“Normalisht se po ndihem mirë, ne edhe në fillim kur kemi aplikua nuk e kemi ditë a kemi me u pranua apo jo, mandej kur u pranuam a do ta marrim ndonjë çmim dhe pastaj nuk e morëm vetëm një çmim por edhe dy të tjera. Dhe normalisht ishte diçka që të paktën po flas për vete, është diçka që nuk e kam prit asnjëherë. Është thyer një rekord që ne kemi punuar me përkushtim. Kemi pas shumë takime deri sa kemi arrit deri këtu”, ka thënë Basholli për Telegrafin.

Filmi i cili tregon një tematikë të ndjeshme pati inspirim Fahrijen nga Krusha e Madhe, të cilën regjisorja Basholli e hasi rastësisht në një storje gazetareske.

“Ideja ka lind kur e kom parë Fahrijen në një storje gazetareske dhe më pas kam shkuar ta takoj dhe ajo ka pranuar ta bëjmë atë film, kemi kaluar së bashku 4-5 orë, ku na tregonte për kohën para dhe pas luftës – deri atë ditë që jemi takuar. Normalisht që pastaj jemi taku edhe disa herë që ajo me i kthy të gjitha kujtimet, pastaj kemi qenë në kontakt për skenarin e tash edhe për çmimet. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë për mua, ishte nder ta njohësh atë së pari, e pastaj edhe me e tregu historinë e saj”, ka thënë tutje regjisorja e filmit “Zgjoi”.

Burimi: Telegrafi