Spoiler Alert – Joker

Shkruan: Latif Mustafa
Një film mjaft i përfolur i kohëve të fundit. Një film interesant por nuk mund të reduktohet në një film me mesazh të një individi që ka qenë objekt dhune dhe tek më vonë, pas një vetënjohje të dhembshme, shndërrohet në subjekt dhune. Në film mungojnë dialogjet e gjata me dimensione të thella filozofike por megjithatë në disa momente nxirren në pah momente të thella ontologjike.
Momenti i parë që më bëri përshtypje është gruaja me ngjyrë nxit “vetëvrasjen” e Arthur Fleck-ut (Joaquin Phoenix). Vetëvrasja, apo drejtimi i dy gishtave në formë të revoleve drejt kokës është rizoma e çlirimit, rilindjes dhe varrosjes së personalitetit tonë të rremë. Është fillesa e përpjekjes ontologjike drejt njohjes dhe pranimit të vetes. Momenti i dytë është maksima që e udhëheq atë, gjegjësisht, ndërdyja e tij për jetën e stërkequr, e shprehur në formën se vdekja ime është më e leverdishme se jeta, vdekja mund të më përfitoj cent më shumë se jeta. Moment tjetër filozofik është vetënjohja dhe pranimi i deliriumit si qenie më vete. Për më tepër, relativizmi i çmendurisë si produkt dhe nocion i shpikur nga sistemi. Ky është momenti Foucault-ian, ku Athur Fleck Joker ka kategorizuar çmendurinë si shpikje të sistemit dhe jo diçka të natyrshme. Ky iluminim është çlirues dhe e shëron Arthur-in. Arthuri heq maskën e tij njerëzore dhe mishërohet me personan/maskën e tij të Joker-it. Momenti tjetër që më së shumti më ka bërë përshtypje është kur Joker gjatë debatit në shou me Morray Franklin (Robert Deniro) i drejtohet duke i thënë se “askush në jetë tjetri”. Në film vërehet një stereotipizim i lehtë i njerëzve me ngjyrë. Momenti i bisedës në mes shërbyeses administrative si konsulente për të sëmurët dhe Arthurit është tepër moment kyç. Gruaja me ngjyrë paralajmëron mbylljen e zyrës konsulente duke i bërë me dije Arthur-it, se atyre lart nuk a bën fare as për ty e as për mua. Por Arthur-i nuk duket se e honeps këtë.
Filmi shpalos stratifikimet shoqërore si produkt të organizimit ekonomik shoqëror por është e habitshme dhe tejet kritike zhvendosja e paradigmës së revoltës shoqërore. Thënë ndryshe, të paktën kjo është përshtypja ime, filmi paraqet revoltën shoqërore jo si pjesë e vullnetit të shtresave të shtypura por diçka të lindur, të trashëguar dhe të tokëzuar thellë nga impulset e shtypura fëmijërore dhe manifestim kësaj nënvetëdije të dhunshme. Anarkia është gjendje e një kolektivi social të dhunshëm dhe vandal. Kjo tipologji anarkie shkërmoq edhe legjitimitetin e universaleve rreth lirisë, vullnetit, drejtësisë dhe ligjit. Kjo ngaqë për Joker-in, ashtu siç e drejta dhe e padrejta ishte relative dhe sipas kandarëve personale njashtu ishte edhe komedia dhe tragjedia, me ç’rast një jetë tragjike mund të jetë thellësisht komike. Kjo mbase e vendos mesazhin e filmit para një dileme etike për revoltën shoqërore dhe forcat shtyse të saj, janë të vullnetshme apo krejt stihike.
Filmi që në fillim dhe në fund të tij shpalos “dogmën” Frojdiane për lëvizjen e qytetërimit si produkt i përplasjeve të nënvetëdijeve të trashëguara fëmijërore, e në kuptimin Marx-ian si përplasje të shtresave shoqërore me bazë ekonomike. Dy fëmijë që kanë përjetuar dhunën, Arthur Fleck dhe Brus Wein. Njëri i rritur në s’kamje e tjetri në kamje. Fëmijëria që të dy i shtyn drejt hakmarrjes, por njëri duke rrënuar sistemin e tjetri duke u përpjekur ta ruajtur atë.