‘Në kërkim të Venerës’, suksesi i madh i Norika Sefës dhe Besnik Krapit

Për Norika Sefën, rrugëtimi po fillon në një festival të madh botëror.

Filmi i saj ‘Looking for Venera’ (Në kërkim të Venerës) është pranuar sot në garën kryesore të Festivalit të Filmit në Roterdam, i cili do të mbahet nga 1 – 7 shkurt 2021.

Filmi, bashkëproduksion mes Kosovës e Maqedonisë, do të garojë për Çmimin e Tigrit – Tiger Award, çmimin kryesor të festivalit.

“Jam shumë e lumtur që filmi po e fillon rrugëtimin në Roterdam, në një festival të kategorisë A. Kam punuar shumë në këtë film dhe mendoj se i përshtatet shumë një festivali si ai i Roterdamit. Ky është edhe filmi i parë ndonjëherë nga Evropa Lindore i cili futet në garën kryesore të këtij festivali, dhe është një tregim nga Kosova” tregon për KultPlus regjisorja Norika Sefa.

*

“Unë kurrë nuk i kam parë prindërit e mi të puthen” – thotë Venera.

Nga një takim i çuditshëm, në film, Venera e ndrojtur nis të vë në dyshim familjen e saj patriarkale dhe të ndjekë Dorinën mendje-hapur, qëndrimi i fortë i së cilës nxit kureshtjen e Venerës për të eksploruar më shumë. Derisa Venera persiatet për kuptimin e jetës, filmi gradualisht shpreh nje sens absurd të jetës, me njerëz qe fshehin një botë me emocione – nga poshtërimi, faji e zhgënjimi.

“Festivali i Roterdamit ka qenë prioritet për neve si ekip. Unë me anë të filmit kam dashtë me tregu se qysh jetohet në një familje të madhe shqiptare, përderisa shpesh deri në tri gjenerata kemi jetu në një familje. Sa ka privatësi e qysh zhvillohet temperamenti i një të riu në atë familje. Si shoqëri unë mendoj se jemi më shumë tradicionale sesa patriarkale, anojmë kah tradita, ma shumë vlerëohet ajo çka ke trashëgu se ajo çka dëshiron më arritë në jetë. Këto janë disa prej temave që i prekë filmi” tregon Norika.

“Është një lajm i jazhtëzakonshëm për të gjithë ekipin, kinematografinë tonë dhe veçanarisht për Norikën dhe mua si filmëbërës të rinjë. Një motiv i madh për të punuar tutje. Kam besuar shumë në vizionin e Norikës dhe nuk kemi kursyer në asgjë për t‘a realizuar filmin sa më mirë që mundemi.”- u shpreh producenti Besnik Krapi.

Në film luajnë aktorë me nam por edhe emra të rinj të cilët Norika ka preferuar ti shpalosë para publikut me anë të këtij tregimi të cilin ajo e ka shkruar vetë.

Pas premierës së filmit, në Roterdam, filmi patjetër që do të vazhdojë rrugëtimin edhe në Kosovë, para audienës shqipe.

Në rolet kryesore në film janë Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Tristan Halilaj. / KultPlus.com