CEREMONIA 42 MILIONË DOLLARËSHE/ Sonte pas mesnatës galaja e Çmimeve “Oscar”

Për herë të parë në 4 vite, mbrëmja gala e çmimeve Oskar, do të drejtohet jo nga një, por nga disa prezantues, si aktoret Uanda Sykes e Regina Hall si dhe nga komediania Amy Schumer.

Edhe pse industria e kinematografisë, apo më saktë Hollivudi, u godit rëndë gjatë 2 viteve pandemi, këtë vit është e sigurt që fitimet do rikthehen, nga suksesi dhe shkëlqimi mbi tapetin e kuq, çmimet dhe sigurisht filmat më të mirë.

Sipas mediave amerikane, në total, mbrëmja gala e çmimeve Oskar, një nga mbrëmjet më të rëndësishme të Hollivudit, do të kushtojë 42 milionë dollar. Vetëm një nga 25 statujat që jepet çdo vit, që përbëhet nga ari dhe bronzi, 34,3 cm e gjatë me peshë 3,9 kilogramë, kushton 400 dollarë por ajo merr vlerë të jashtëzakonshme për këdo që e fiton dhe nuk mund të shitet asnjëherë. Deri më sot, nga Oskari i parë i dhënë më 16 maj 1929, janë dhënë gjithsej 3140 statuja.

Kostot vazhdojnë, me festivën e përvitshme Vanity Fair, që organizohet nga çifti i showbizit, Beyonce e Jay Z. Pjesëmarrja në këtë festë, kushton 80 mijë dollar për çift. Gati 10 milionë shkon kosto për personazhet VIP e look-un e tyre mbi tapetin e kuq.

Për Los Angeles, mbrëmja e çmimeve Oskar është një “bum” ekonomik, pasi arkëton në vetëm 24 orë, 130 milionë dollar të ardhura. Por jo vetëm qyteti fiton: çdo aktor apo aktore, që rrëmben një statujë Oskar, automatikisht siguron një rritje të pagës për çdo rol në të ardhmen, me 60%.