Këngëtarja e njohur me prejardhje shqiptare, Dua Lipa, së fundmi ka dhënë një intervistë për revistën franceze “Elle”, për numrin që do të botohet në SHBA.
Kjo revistë prestigjioze në artikullin që mban emrin “Dua Lipa, e ardhmja e muzikës pop” fillimisht ka shkruar një histori të shkurtër të rrugëtimit të saj në karrierë, prej largimit nga Kosova deri te ngjitja në majat e suksesit botëror, njofton Klan Kosova.
Në intervistën e realizuar nga Lauren Levy mes shumë pyetjeve, Dua Lipa është përgjigjur për lidhjen e saj emocionale me Kosovën.
“Kosova më ka definuar goxha shumë. Ne kemi një sens të jashtëzakonshëm për komunitetin. Njerëzit i dinë punët e tua para se t’i dish vet ti, por ata gjithmonë më kanë dhënë shumë dashuri”.
“Dikush në një intervistë më pati thënë ‘Ti e ke etikën e punës së një emigranti’, por kjo është sepse ne gjithmonë duam që të na marrin seriozisht. Të jesh nga Kosova apo Shqipëria gjithmonë ka një stigmë rreth kësaj çështje. Në filma çdo shqiptar është mafioz. Ne po provojmë ta ndryshojmë atë çfarë njerëzit mendojnë për vendin tonë”.
Lipa ka folur edhe për albumin e saj të dytë që pritet të publikohet së shpejti.
“Është një përzierje, prej asaj se si ndihesh të rritesh si vajzë dhe të kesh frikë të kthehesh në shtëpi gjatë natës, se si ndjehesh kur e gjithë bota të braktisë deri tek ndjenja kur fillon ta shijosh jetën sërish. Shpresoj që do të arrijë ta publikojë albumin deri në fund të këtij viti ose në fillimi të vitit tjetër”.
“Nuk kam vendosur akoma se cilat do të jenë këngët, por një gjë e di me siguri se janë këngë që njerëzit do t’i këndojnë bashkë me mua. Ti bën muzikë që njerëzit të këndojnë bashkë me ty, por gjithashtu edhe për të treguar një histori duke shpresuar që njerëzit ta gjejnë veten”.
Në këtë intervistë të gjatë, Lipa ka folur për performancën dhe fitoren e saj në Grammys, për kauzën e saj për të mbështetur gratë, por edhe për komentet negative që i merr në rrjetet sociale.