VLERËSIMI/ Carovska takon drejtorët: kemi nisur me sukses vitin shkollor!

Shkollat fillore dhe të mesme me sukses e filluan vitin e ri shkollor me prezencë fizike, sipas masave dhe protokolleve të përshkruara për mbrojtje. Në shkollat janë siguruar kushte të sigurta, ndërsa situata menaxhohet në nivel ditor. Ky ishte konkludimi nga takimi i sotëm i rregullt i drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme këtë pasdite me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska.

Siç kumtuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në përgjithësi sistemi arsimor është i përgatitur mirë dhe zbatohet sipas planit pa ndonjë vështirësi.

“Dua t’ju uroj të gjithëve për angazhimin maksimal për fillim të suksesshëm dhe për të vazhduar punën me të njëjtin angazhim dhe entuziazëm në të ardhmen. Qëllimi ynë është i përbashkët, dhe ai është arsim cilësor dhe modern për çdo fëmijë. Ne të gjithë e kemi parë se sa e rëndësishme është të jesh në klasë, kështu që unë bëj thirrje për respektimin e vazhdueshëm të protokolleve”, tha ministrja Carovska.

Ministrja theksoi se sistemi arsimor është i gatshëm me edhe dy skenarë rezervë, dhe nëse dhe kur do të zbatohen do të varet nga situata epidemiologjike, për çka vlerësim do të bëjë dhe do të vendos Komisioni për mbrojtje nga sëmundjet infektive.

Siç kumtoi MASH, në takim u bisedua edhe për fillimin e zbatimit të proceseve të reformës, nga ky vit shkollor në klasën e parë dhe të katërt.

Drejtorët e informuan ministren se i kanë siguruar të gjitha materialet e nevojshme didaktike, mjetet mësimore, tableta dhe tabela të bardha ndërvepruese të siguruara nga kurrikula e re. Gjithashtu, fillon shkarkimi i teksteve dixhitale për nxënësit e klasës së katërt, ndërsa klasave të para tani më po u ndahen librat.

Libra shkollorë morën edhe nxënësit e klasave të tjera që do të punojnë sipas programeve të vjetra mësimore. Vitin shkollor e filluan rreth 187 mijë nxënës të shkollave fillore dhe 70 mijë nxënës të shkollave të mesme.