“Viti shkollor nuk do të përsëritet, për maturën shtetërore po shqyrtohen këto dy mundësi”

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi ka deklaruar se janë dy opsione në lidhje me organizimin e maturës shtetërore.

“Më duhet të theksoj se mbetet që këto ditë të miratojmë një plan të veçantë për arsimin, i cili duhet të përmbaj një pako masash, ku përfshihet matura shtetërore marrja e vendimit përfundimtarë rreth maturës shtetërore, për çka ashtu i kemi të njoftuar ekzistojnë dy opsione. E para që të zhvillohet në qershor, ose opsioni i dytë i cili po shqyrtohet me seriozitet të lartë është të hiqet ky obligim për gjeneratën e  sivjetshme të nxënësve të vitit te fundit të cilët janë në shkollat e mesme. Me përkrahjen e Telekomit rreth 30 000 fëmijë që janë nga familjet e rrezikuara sociale janë pajisur me kartela për internet mobil, kapacitet prej 10 GB, në muaj”, ka deklaruar Arbër Ademi.

Ai ka thënë se viti shkollor nuk do të përsëritet ngase mësimi online është zhvilluar mirë.

“Reaguam shpejt dhe me efikasitet. Ndërprerja e procesit arsimor zgjati vetëm disa ditë dhe pastaj filloi në mënyrë online të realizohet. Viti shkollor filloi të realizohet, që nënkupton se ky vit shkollor nuk do të përsëritet nga shtatori. Kjo ishte opsioni më i mirë kur nuk ka opsion tjetër”, tha Ademi.