Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Aziz Pollozhani në kuadër të bashkëpunimit përmes programit Erasmus+ për shkëmbimin e përvojave, stafit akademik dhe studentëve, qëndroi në vizitë pune në Universitetin Sassari në Sardenjë të Italisë. Gjatë qëndrimit në Itali, Pollozhani para studentëve dhe stafit akademik të këtij universiteti italian zhvilloi një ligjëratë me temë: ‘Sfidat e reja të arsimit publik – perspektivat rajonale’ Gjatë vizitës së punës, rektori Pollozhani u takua me rektorin e Universitetit te Sassarit, Prof. Dr. Massimo Carpinelli me të cilin u dakorduan që bashkërisht të punojnë në krijimin e dy programeve për studime master, dhe atë ‘Menaxhimi i migrimeve, siguria dhe bashkëpunimi tregtar’ dhe ‘Bioinformatikë’. Dy rektorët vlerësuan se këto dy fusha janë në interes të të dy vendeve si dhe të gjithë rajonit të Mesdheut, jo vetëm për kohën që jetojmë por edhe në të ardhmen. Kjo është një vazhdimësi logjike e aktiviteteve të UNT-së, duke pasur parasysh faktin se UNT tre herë radhazi ka organizuar konferenca shkencore për migrimet. UNT ka marrëveshje bashkupunimi me Universitetin e Sassarit, i cili është themeluar në vitin 1558 nga Alessio Fontana, një qytetar i shquar i qytetit të Sassarit. Sot, ky universitet, me mbi 12,000 studentë dhe rreth 700 studiues, përbëhet nga 11 Departamente, të cilat gjithashtu bashkëpunojnë me një numër qendrash dhe institutesh akademike dhe kërkimore. f