Universiteti “Nënë Tereza” zhvilloi Konferencë e shtatë Ndërkombëtare për Migracionin me titull “Trendet e migracionit, sfidat, prioritetet dhe rrugët e reja të politikave”

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup zhvilloi edicionin e 7-të të Konferencës Ndërkombëtare për Migracionin me titull “Trendet e migracionit, sfidat, prioritetet dhe rrugët e reja të politikave”, nën bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe politikës Sociale, si dhe universitetet partnere të UNT-së në rajon dhe Evropë.Në konferencë paraqitje e tyre kishin zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës Agim Nuhiu, Dejan Ivkovski nga Departamenti i Migracionit dhe Ndihmës Humanitare pranë Ministrisë së Punës dhe Politikës sociale, Goran Pavllovski nga Departamenti i Çështjeve Kufitare dhe Migracionit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, nikoqiri Prof.dr. Rizvan Sulejmani, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar, dekanja e Fakultetit të Shkencave Sociale Dr.Diturie Ismaili, moderatorje Doc.dr. Elisabeta Ollogu, si dhe 60 hulumtues shkencorë nga vendi, rajoni dhe Evropa, përmes prezencës fizike dhe online.  Zëvendësministri Prof.dr. Agim Nuhiu në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përgëzoi Universitetin “Nënë Tereza” për organizimin e Konferencës, me çrast  theksoi faktin e ballafaqimit me flukse të mëdha migratore duke përfshi në përmasa të mëdha edhe brezin e ri!  ‘Flukset e migracionit viteve te fundit kanë përfshirë miliona qytatarë per në vete vendet e BE -së. Shtetet anëtare të BE-së, brenda nje viti u dhanë shtetësi rreth 1 milion qytetarëve të migruar. Vleresojmë se ata që migrojnë kanë për synim edhe suksesin ekonomik, e ky sukses në një masë të madhe përcaktohet nga formimi arsimor dhe aftësitë për tu gjendur në tregun e punës’, tha zëvendësministri Nuhiu.Konferenca u realizua në dy sesione ku para një numri të lartë pjesëmarrësish u prezentuan punimet e kandidatëve, hulumtuesve shkencorë nga vendi, regjioni dhe më gjërë.