Universiteti i Kembrixhit: Leksione online vitin e ardhshëm

Universiteti i Kembrixhit ka njoftuar se nuk do të ketë leksione nëpër ambientet e tij në vitin e ardhshëm akademik për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.

Megjithatë, mësimet do të jenë të disponueshme online për studentët, derisa “mësimet nëpër klasa do të mundësohen vetëm për grupe të vogla studentësh”, nëse zbatohen kërkesat për distancim fizik, është thënë në një njoftim të universitetit prestigjoz.

Kampuset universitare janë mbyllur këtë vit, për shkak të shpërthimit të pandemisë së koronavirusit. Zyrtarë të Universitetit kanë thënë se do të rishqyrtojnë këtë vendim nëse ndryshojnë udhëzimet për distancim fizik.

Në deklaratën e fundit thuhet po ashtu se Universiteti është duke u adaptuar vazhdimisht me udhëzimet që vijnë në kuadër të pandemisë. Të gjitha mësimet janë duke u zhvilluar online në këtë universitet që nga muaji maj, ndërsa provimet janë duke u kryer në mënyrë virtuale.

Burimi: Top Channel