Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

Unioni i Nxënësve të RMV-së ka disa kërkesa për Arbër Ademin

Unioni i Nxënësve të Maqedonisë së Veriut ju informon se çdo fillim viti shkollor nxënësit përballen me probleme të shumta që pengojnë vijimin normal të procesit arsimor, siç janë:

  • Mungesa e rreth 20% të librave shkollorë;
  • Gabimet e shumta në librat shkollorë;
  • Në kundërshtim me ligjet aktuale në fuqi, librat shkollorë janë në qarkullim për më shumë se 5 vite;
  • Mungesa e literaturës përkatëse në shkollat e mesme profesionale;
  • Mungesa e korrelacionit midis programeve mësimore dhe lëndëve mësimore;
  • Nxënësit blejnë nga profesorë të caktuar libra dhe fotokopjojnë disa të tjera, edhe përkundër promovimit se librat jepen falas.

Unioni i Nxënësve të Maqedonisë së Veriut kërkon që këtyre problemeve t’u jepet një zgjidhje e menjëhershme dhe e qëndrueshme e që këto çështje mos na rishfaqen çdo shtator.

Unioni i Nxënësve të Maqedonisë së Veriut shpreson që Ministria e Arsimit dhe Shkencës do e shqyrtojë këtë problematikë tashmë të vjetër me seriozitet dhe në mënyrë efikase dhe do investojë kohë e mund që këto probleme të jenë të kaluara. Nëse këto kërkesa vazhdojnë të hasin në vesh të shurdhër, Unioni i Nxënësve të Maqedonisë së Veriut do ndërmarrë hapa tjera demokratike për zgjidhjen e këtyre problemeve, duke mos përjashtuar në asnjë moment as bojkotin e organizuar të procesit arsimor si dhe protestave të nxënësve.