UEJL i dyti në Maqedoni sipas Webometrics

Ueb faqja e njohur ndërkombëtare Weometrics, në listën e fundit të publikuar në fund të muajit janar, Universitetin e Evropës Juglindore e ka renditur në vendin e dytë, në mesin e universiteteve më të mira në Maqedoninë e Veriut, menjëherë pas Universitetit të Shkupit “Shën Cirili dhe Metodi”.

Performanca akademike dhe shkencore e UEJL-së po dëshmohet edhe në rang rajonal, ku është renditur i treti menjëherë pas Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës dhe i pari nga të gjitha universitetet shqiptare me status të ngjashëm dhe atyre private.

“Universiteti ynë falë punës së gjithë stafit e në veçanti stafit akademik, vazhdimësisë së reformave në mbajtjen dhe rritjen e cilësisë, punës me studentët dhe politikës së ndryshimeve të vazhdueshme po arrin performancë të shkëlqyeshme ndërkombëtare.

Njohja e punës tonë na motivon dhe na bënë që të punojmë edhe më fortë dhe të gjithë së bashku të arrijmë rezultate edhe më të mira, në të gjitha aspektet e në veçanti në ofertën akademike dhe cilësinë e mësimdhënies. Universiteti ka treguar kondicion përshtatje dhe është shndërruar jo vetën në zbatues të modeleve, por edhe krijues dhe nxitës i modeleve të reja në arsimin sipëror”, thotë Rektori Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.

Krahasuar me vitin 2016, që në rang botëror UEJL ishte renditur në vendin e 7741, në vitin 2020 ka shënuar ngjitje marramendëse prej plotë 3283 vende më lart dhe tani është i renditur në vendin e 4458, duke u cilësuar si Universiteti më ngjitje më të lartë në rajon sa i përket performancës akademike.

Universiteti i Evropës Juglindore ka shënuar rezultate pozitive sipas të gjitha treguesve, duke filluar nga prezenca, vizibiliteti, numrit të citimeve dhe publikimit të punimeve shkencore të stafit akademik.

Universiteti i Evropës Juglindore këtë vit do ta shënoj 20 vjetorin e themelimit dhe gjatë këtyre viteve gjithmonë ka ndjekur një politikë të përshtatjes së vazhdueshme me trendët ndërkombëtare të menaxhimit dhe ofrimit të cilësisë në të gjitha nivelet. Lista e Webometrics është publikuar në fund të muajit janar të vitit 2021. Megjithatë, UEJL ne rangun rajonal të Universiteteve shqiptare gjendet pas atij të Tiranës e Prishtinës.