TRAGJEDIA / Nxënësja qan teksa flet për shokët e humbur: Dhimbja dhe vaji do të jenë gjithmonë me ne

Nxënësit dhe mësuesit e shkollës fillore “Ismail Qemali” në Çair të Shkupit kanë marshuar sot në nder të 5 nxënësve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Bullgari.

Në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, ata vendosen lule për 45 viktimat e aksidentit tragjik të 23 nëntorit.

Një nxënëse teksa fliste për humbjen shokëve, u përfshi nga vaji.

Kërkoi që nxënësit dhe të gjithë familjarët e të humburve të mos zhyten në detin e pikëllimit, pasi siç tha, ai nuk ka fund.

“Jeta është me të vërtetë një enigmë e pazgjidhshme. Sjell qaste të gëzueshme si dhe qaste pikëllimi. Por, ja që zoti deshi të na sprovojë me një ngjarje të trishtueshme, e cila po na duket të gjithëve joreale. Në kujtim të këtyre nxënësve, në kujtim të këtyre të rinjve, që humbën jetën tragjikisht, dua t’ju them gjithë moshatarëve të mi: Dhimbja dhe vaji do të jenë gjithmonë prezent në zemrat tona, e vetmja gjë që mban gjallë këta fëmijë, janë kujtimet të cilat na lidhin me to. Andaj, mos u zhytni në detin e pikëllimi, sepse nuk i dihet fundi! Përpiquni të mbani veten të fortë dhe të unifikojmë forcën tonë së bashku”, tha nxënësja, transmeton TV21.