Mbrëmjen e të martës, në moshën 92-vjeçare, u shua edhe një pishtar i arsimit, prof.Adnan Agai, i cili ka punuar si mësues dhe profesor në disa shkolla fillore dhe të mesme tëGostivarit dhe Shkupit dhe është autor i librave shkollorë dhe fjalorëve. Prof. Adnan Agai u lind më 31 dhjetor 1930 në Gostivar, ku e ka kryer edhe shkollimin fillor. Shkollimin e mesëm e ka filluar në Prishtinë dhe përfunduar në Tetovë. Shkollën e Lartë Pedagogjike e kryen në vitin shkollor 1953/1954, ndërkaq Fakultetin Filologjik – Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare në Universitetin e Prishtinës në vitin 1974.
Në vitet e pasluftës, si mësues i ri ka ka punuar në disa fshatra të rrethinës së Gostivarit dhe një kohë të shkurtër edhe në gjimnazin “ÇedeFilipovski”, ndërkaq hovin i na ndërpret një proces i montuar politik në vitin 1956, kur dënohet me 5 vjet burg. Pas vuajtjes së dënimit nuk mund të kthehet në arsim, por punon si administrator në një ndërmarrje. Më pas, ka vazhduar si arsimtar në shkollat fillore të Hasanbegut dhe “Liria”(por jo si arsimtar) dhe “Dame Gruev” në Shkup dhe prej vitit 1974 deri në vitin 1982 si profesor i gjuhës amtare në gjimnazin “Zef Lush Marku”, ku pati fatin e keq të diferencohet për së dyti herë pas viteve 50-të, si i papërshtatshëm ideologjikisht nga forumet e larta partiake të kohës. I mbetur pa punë, një kohë merret me zanat, me familje shpërngulet në Prishtinë dhe shkon edhe në mërgim, SHBA për të siguruar ekzistencën për familjen e tij.
Prof.Adnan Agai njihet si njëri nga përfaqësuesit më të denjë të arsimit në gjuhën shqipe që nga periudha e pasluftës e deri në pensionim, duke gëzuar respektin si një edukator dhe emancipator i gjeneratave, duke u dhënë atyre jo vetëm dijen dhe dashurinë ndaj lëndës që e ligjëronte, gjuhën amtare, por dhe ndaj vlerave kombëtare e universale njerëzore. Kontributin e tij në fushën e arsimit ai e ka pasuruar edhe si autor i librave shkollorë dhe fjalorëve kapitalë Shqip-Maqedonisht dhe Maqedonisht-Shqip, në bashkautorësi me bashkëshorten, prof.Kimete Agai: “Libri i leximit për kl. V”(1971, i ribotuar pesë herë), “Fjalor i emrave të përveçëm”, Fjalori Shqip-Maqedonish(1996), Fjalori Maqedonisht-Shqip(1999), “Leksikoni i emrave dhe frazave të huaja” madje dhe bashkëpunëtor në skenarin për filmin televiziv, “Lojë e shkronjave”. Pokështu, ka përkthyer edhe disa vepra të autorëve të huaj në gjuhën shqipe.
Prof.Adnan Agai, me gjithë vuajtjet nëpër të cilat ka kaluar si i persekutuar i regjimit komunist, arrin të përjetojë edhe ditë të mira të rehabilitimit në vitet e pluralizmit, kur sërish kthehet me familje në Shkup. Për kontributin edhe ka marrë mirënjohje të larta shoqërore: Ministria e Arsimit u ndan mirënjohje për kontributin e veçantë në afirmimin e arsimit në gjuhën shqipe në R.e Maqedonisë(2006), Qyteti i Shkupit i ndan çmimin 13 Nëntori(2016), kurse në vitin 2018, për 7 Marsin-Ditën e Arsimit Shqip, kryetari i Kuvendit, TalatXhaferi çiftit bashkëshortor Kimete dhe Adnan Agai u ndan Mirënjohje për kontribut në fushën e arsimit dhe edukimit, ndërkaq po për kontributin shumëvjeçar në fushën e arsimit, do të marrë çmimet “22 Nëntori” dhe “Shën Klimenti”.
Varrimi i prof.Adnan Agait bëhet të enjten, pas namazit të drekës, në Varrezat e Butelit në Shkup.