Shaqiri: Sektori civil është partner i rëndësishëm në krijimin e ndryshimeve që duhet të ndodhin në arsim

Qeveria e Maqedonisë së Veriut është jashtëzakonisht e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi arsimor kombëtar cilësor, i cili do të krijojë gjenerata të reja të gatshme për t’u përballur me sfidat që njihen sot, por gjithashtu edhe me sfidat  të cilat nuk janë të njohura për ne dhe do të shfaqen pas 10-20 viteve të ardhëshme. Në këtë drejtim, me mbështetjen e madhe të UNICEF-it, filluam procesin e konsultimeve kombëtare në lidhje me atë se si duhet të duket arsimi në vendin tonë në të ardhmen, i cili duhet të rrumbullaksohet para fillimit të Samitit të Transformimit të Arsimit organizuar nga Kombet e Bashkuara në shtator të këtij viti, ku do të prezantojmë prioritetet tona për periudhën e ardhshme në këtë sferë.

Këtë e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, në takimin e sotëm me përfaqësuesit të disa organizatave civile, ku u diskutua se si të mundësohet rikuperimi i plotë nga lëshimet dhe ndërprerjet në mësimdhënie  të shkaktuara nga Covid-19, por gjithashtu edhe si të transformohet arsimi dhe të mundësohet përvetësimi i aftësive të përjetshme për shekullin e 21-të dhe t’i bëjmë shkollat ​​vende gjithëpërfshirëse, të drejta dhe të sigurta.

Shaqiri theksoi  se sektori civil ishte  një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm në krijimin e ndryshimeve për arsim më të mirë, kështu që pret një kontribut edhe tani në këtë proces konsultativ, i cili duhet të rezultojë me dokument strategjik, gjegjësisht angazhim kombëtar që do të ofrojë arsimim më të mirë dhe mundësi më të mirë për qytetarët.

“Shteti ka plan në lidhje me atë se si duhet të duket arsimi tani dhe në të ardhmen.Ndryshimet po ndodhin për të siguruar më shumë fleksibilitet të sistemit arsimor, mësimdhënie më kreative, përvetësim të aftësive cilësore të jetës, mjedis shkollor gjithëpërfshirës etj. Por ai plan mund dhe duhet të modifikohet, sepse kushtet sociale dhe trendet globale ndryshojnë. Prandaj, mendimi dhe kontributi i organizatave të shoqërisë civile është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Ne duam t’i dëgjojmë sugjerimet tuaja dhe ato sigurisht që do të merren parasysh në çdo hap të ardhshëm”, theksoi Shaqiri, duke apeluar që përfaqësuesit e pranishëm të shoqatave t’i bashkohen debatit dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për shtetin dhe qytetarët, përmes zhvillimit të  sistemit arsimor cilësor.

Ky është debati i katërt i organizuar në kuadër të konsultimit kombëtar se si duhet të duket arsimi në vend në të ardhmen, pasi që Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe UNICEF-i dëgjuan më parë mendimin e deputetëve dhe përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale, ndërsa në rezidencën e Presidentit të Maqedonisë së Veriut u organizua edhe një punëtori vizionare me të rinjtë.