Rreth 30 fëmijë nga tre çerdhe të Kumanovës janë pranuar në Spital me simptoma të helmimit nga ushqimi

Rreth 30 fëmijë në moshë prej 2 deri në 6 vjeç me simptoma të helmimit nga ushqimi këtë vikend kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Kumanovës. Për shkak të temperaturës së lartë, vjellave, diarresë dhe ngërçeve në stomak, dy janë mbajtur në mjekim, a të tjerët janë lëshuar në shtëpi pasi që kanë marrë terapi adekuate, njofton Portalb.mk.

Prindërit dyshojnë se fëmijët janë helmuar nga ushqimi në çerdhen e Kumanovës, derisa drejtoresha Marina Arsovska thotë se i pret rezultatet nga institucionet kompetente. Prej mëngjesit, në çerdhe janë inspektorët e Inspektoratit Shëndetësor dhe nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari dhe një epidemiolog i Qendrës për Shëndet Publik.

“Të premten, dy fëmijë kanë pasur temperaturë dhe diarre dhe i kemi ftuar prindërit që t’i marrin fëmijët. Nuk e kemi ditur se gjatë vikendit edhe fëmijë tjerë kanë kërkuar ndihmë në Spitalin e Përgjithshëm. Mbrëmë kur e kuptova, i informova institucionet kompetente që të fillojnë me hulumtime epidemiologjike dhe të marrin strisho nga të tre objektet dhe të shohim se çfarë do të tregojnë rezultatet”, tha Aleksovska për SDK.

Prej mëngjesit është mbyllur kuzhina në objektin “Pçelka”, ku është përgatitur ushqimi, a pastaj me automjet janë bartur në dy çerdhe tjera . Sot fëmijët kanë marrë ushqim nga kuzhinë tjetër, e cila punon në çerdhen qendrore.

Prindërit dyshojnë se fëmijët janë helmuar nga ushqimi të enjten, pasi që të premten pasdite kanë filluar simptomat e para.

“Fëmija kishte temperaturë prej 40 gradë. Na dolën mendtë dhe menjëherë e dërguam në mjek. Dyshimi i parë ishte se bëhet fjalë për virusin korona, a më vonë për ndonjë virus stomaku. Pasi që me të njëjtat simptoma u sollën edhe fëmijët tjerë nga grupi i tij, e dinim se është nga çerdhja”, tregon njëri prej prindërve.