RMV, studentët e huaj u larguan, tashmë të gjitha universitetet kaluan online

Edhe i vetmi universitet në Maqedoninë e Veriut i cili i realizonte më shumë se 90% të ligjëratave me prezencë fizike na data 9 nëntor do të kaloje modelin përmes internetit, gjegjësisht bëhet fjalë për Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL). Përmes internetit ligjëratat shumica e ligjëratave realizohen edhe në Universitetin e Tetovës dhe Universitetin “Nënë Tereza”, shkruan Portalb.mk.

Edhe ata pak studentë të shteteve të huaja të cilët qëndronin në Tetovë ditëve të fundit për shkak të ligjëratave në Universitetin e Evropës Juglindore tashmë i kanë bë gati valixhet për tu kthyer në vendet e tyre të banimit, pas vendimit të bordit të UEJL-së se ligjëratat do të zhvendosen online.

Kjo për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve në vend, nga UEJL përmes një mesazhi kanë njoftuar studentët që ky vendim është marrë me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit korona në hapësirat e universitetit.

Javët e fundit, vendi ynë dhe rajoni, po shohin rritje të numrit të infeksioneve. Sipas raportit të lëshuar nga Instituti i Shëndetit Publik të Maqedonisë së Veriut, vetëm javën e kaluar, raste të reja pozitive me KOVID-19, u regjistruan në 35 qytete, që është një rritje prej 27.4%, krahasuar me një javë më herët. Rritja vazhdon çdo javë dhe numrat janë shqetësues në Shkup dhe Tetovë, ku ne veprojmë si Universitet. Bazuar në informacionin e sipërpërmendur, menaxhmenti i Universitetit vendosi që nga 9 nëntori 2020, të gjitha ligjëratat në kampua, do të mbahen plotësisht ONLINE. Kjo mënyrë e ligjërimit, do të vazhdojë deri më 30 nëntor 2020” shkruajnë nga Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL).

Ndërkaq pjesa më e madhe e ligjëratave në Universitetin e Tetovës realizohet përmes internetit, nga ky universitet na thanë se të gjitha fakultetet dallojnë për atë se si e mbajnë mësimin, kjo sipas tyre, bazuar në disa faktorë.

“Mësimi në Universitetin e Tetovës aktualisht zhvillohet me modelin e kombinuar, varësisht vendimit që kanë marr fakultetet, sipas natyrës së programit studimor, lëndëve, numrit të studentëve dhe situatës me pandeminë ditëve të fundit” deklaruan nga Universiteti i Tetovës.

Nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup gjithashtu potencuan se pas rritjes së numrit të të infektuarve dhe pas vendimit të Qeverisë së RMV-së që administrata të punoje nga shtëpia, ligjëratat realizohen përmes internetit.

“Në Universitetin Nënë Tereza pas rritjes së numrit të të infektuarve me kovid-19 në vend si dhe pas vendimit të Qeverisë së RMV-së që administrata të punoje nga shtëpia, ligjëratat realizohen përmes internetit me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit korona në hapësirat e universitetit tonë” thanë nga Universiteti “Nënë Tereza”.

Edhe në Universitetin “Kirili dhe Metodi” në Shkup të gjitha ligjëratat zhvillohen përmes internetit.