Program i ri për bursa nga UNB-ja

Universiteti Ndërkombëtar Balkanik (International Balkan University – IBU) ka shpalosur Programin e ri për bursa për studentët e ardhshëm në vitin akademik 2020/2021 të titulluar “Maturantët më të mirë, në Universitetin më të mirë”, i cili bazohet në suksesin e arritur të nxënësve gjatë shkollimit të mesëm. Sipas programit të ri, maturantët me sukses të dalluar do të mund të fitojnë bursa gjer në 100% për çdo semestër, e me këtë edhe mundësinë për të studiuar në një nga universitetet më të mira në vend ku mësimdhënia është plotësisht në gjuhën angleze dhe sipas rangimit të fundit të Shangajit, i ranguar më së miri në kategorinë e mësimdhënies. Aplikimi për bursa ka filluar sot dhe do të zgjasë deri më 25 shtator, respektivisht deri në plotësimin e kuotave të parapara për regjistrim të studentëve të rinj.

Si institucion me përgjegjësi të lartë shoqërore, IBU vazhdon të jetë tërësisht i përkushtuar për të përkrahur arsimin dhe shkencën në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit të Ballkanit, duke siguruar bursa gjer në 100% për maturantët më të talentuar dhe më të suksesshëm. Gjatë 14 viteve të kaluara që nga themelimi i universitetit, mbi 1200 studentë kanë përfituar nga programi i bursave dhe sot janë profesionistë me kualifikime të larta. Ata janë edhe ambasadorët e vërtetë të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik dhe të sistemit tonë arsimor modern, kualitativ, të fokusuar në student dhe të orientuar drejt karrierave.

Programi i ri i bursave parasheh bursë të plotë 100% për maturantët që shpallen më të mirët e gjeneratës, që dëshmohet me vërtetim të lëshuar nga drejtoritë e shkollave të mesme dhe këta studentë do të lirohen tërësisht nga pagesa e shkollimit. Bursë prej 80% do t’u jepet maturantëve me notë mesatare 5.00 nga arsimi i mesëm dhe vlera e shkollimit për këta studentë do të jetë 200 euro për semestër. Maturantët me notë mesatare 4.50 – 4.99 do të mund të fitojnë bursë prej 70%, respektivisht vlera e shkollimit do të jetë 300 euro për semestër, ndërsa ata me notë mesatare 4.00 – 4.49 do të mund të fitojnë bursë prej 60%, me pagesë 400 euro për semestër. Kategoria e fundit e bursave parasheh bursë prej 50% për maturantë me notë mesatare 3.00 – 3.99 dhe vlerë të shkollimit 500 euro për semestër.

Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik është universitet i pranuar ndërkombëtarisht, me studentë nga 15 shtete dhe me kampus me standarde botërore në Shkup. Studentët do të kenë mundësinë të përfitojnë edhe nga programi për shkëmbim studentor Erasmus+, i cili u mundëson përvojë të pazëvendësueshme studimi në një nga mbi 200 universitete në 40 shtete të botës me të cilat IBU ka bashkëpunim ndërinstitucional, edhe kjo me bursë të plotë të siguruar përmes projektit nga Bashkimi Evropian.

Të gjithë maturantët që i plotësojnë kriteret e parapara dhe dëshirojnë të studiojnë në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik mund të bëjnë aplikimin online në www.ibu.edu.mk