Ndërpritet regjistrimi i filloristëve në shkollën fillore “Istigball” në Tetovë, për shkak se është konfirmuar COVID-19 tek një mësuese

Pasi është konfirmuar COVID-19 tek një mësuese nga shkolla fillore “Istigball” në Tetovë, 40 kolegë të tjerë të saj me vetiniciativë kanë nënshkruar deklarata për vetizolim, me këtë rast procesi i pranimit të nxënësve të klasës së parë është ndërprerë.

Drejtori Rexhep Alili për MIA, deklaroi se edhe ai është në vetizolim, ndërsa potencoi se mësimdhënësja nuk ka punuar në regjistrimin e nxënësve të rinj.

“Para dy ditësh u mësua se një kolege e jona është pozitive. Të gjithë ata të cilët ishin në kontakt fizik me të vullnetarisht janë në vetizolim. Unë nesër kam termin për ta bërë testin për COVID-19, ndërsa ditëve të ardhshme edhe mësimdhënësit tjerë duhet të testohen. Kolegia nuk është pjesë e procesit të regjistrimit, ajo ligjëron në klasat e larta. Gjithashtu, sipas rekomandimeve shëndetësore, kjo është zhvilluar në hapësirë të veçantë dhe e bën komision i veçantë i përbërë nga pedagogu, psikologu dhe dy mësimdhënëse nga klasat e ulëta. Është vepruar sipas protokolleve edhe për dezinfektimin e hapësirës në dhe jashtë shkollës. Për këtë, regjistrimi i nxënësve të klasës së parë do të vazhdojë pas 15 qershorit”, deklaroi drejtori Alili përmes telefonit.

Udhëheqësi i Sektorit për veprime publike të komunës së Tetovës Ahmed Qazimi e konfirmoi rastin, ndërsa tha se janë ndërmarrë të gjitha masat mbrojtëse.

Ai informoi se në shkollat tjera fillore regjistrimi i filloristëve zhvillohet pa probleme dhe se janë praktikuar të gjitha protokollet me të cilat parashihet dezinfektim të personave dhe mbajtje të pajisjes mbrojtëse.