Mungesa e teksteve shkollore, problem edhe në gjysmë-vjetorin e dytë

Zhurma e nxënësve sërish u rikthye në shkollat fillore dhe të mesme në ditën e parë të fillimit të gjysmë-vjetorit të dytë. Pavarësisht mungesës së teksteve të caktuara shkollore, drejtuesit e shkollave paralajmërojnë proces mësimor të suksesshëm.

“Puna e ngrohjes është rregulluar nga institucionet më të larta që janë kompetent për këtë çështje, kanë siguruar që mësimi të vijohet ashtu siç duhet. Kishim vonesa për kompletimin e disa librave, shumicën e librave i kemi nëpër shkolla dhe presim që pakicën të na i sjellin në vazhdimësi”, deklaroi Elita Demiri, drejtore e sh.f “Vasill Gllavinov”.

Nxënësit që takuam rrëfyen momentet më të bukura nga pushimi dimëror.

“Ndava kohë edhe për të lexuar. Ushtroj edhe futboll, thuajse për çdo ditë isha në teren për të luajtur futboll me shokët”.

“Kam shëtitur me familjen dhe shoqërinë. Gjithashtu lexova lekturën “Huckleberry Finn”, me një fjalë shumë mirë kam kaluar”.

Disa prej nxënësve, përjetimet nga pushimet dimërore tashmë I kishin shkruar në fletore dhe I lexonin në klasë..

“Kam lexuar libër kur kam pas kohë, kur nuk kam pas se çfarë të bëj. U gëzuam që u takuam me mësuese”.

“Kemi pas shumë udhëtime me familjen, kemi udhëtuar shumë dhe gjithashtu më kanë lënë përshtypje të gjitha lekturat që kam lexuar, të gjitha shprehjet që kam mësuar. Kam shkruar shumë ese për pushimet dimërore”.

“Kam dal me familjen, jam marrë me sport, kam luajtur futboll. Më pëlqen shumë, është sport shumë i mirë”.

Sipas Ministrisë së Arsimit, viti shkollor do të përfundoj më 14 qershor me qëllim realizimin e 180 ditë pune nga kalendari mësimor. /Alsat.mk