Maturantët kërcënojnë me protesta nëse nuk pranohen kërkesat e tyre

Maturantët kërcënohen me protesta në rast se kërkesa e tyre për modifikimin e maturës shtetërore nuk merr epilog deri në fund të javës. Sot është dita e dhjetë e bojkotit të mësimit.

Në rast se as institucionet nuk janë të gatshme për të gjetur një zgjidhje konkrete për këtë çështje atëherë normalisht se ne do zgjedhim masa tjera duke protestuar në rrugë, por kjo do të varet nga epilogu i takimeve që i kemi sot dhe nesër- deklaroi SINKRON – Blendi Hodai, Unioni i nxënësve të shkollave të mesme.

Pas konsultimeve me partitë opozitare UNSHM-ja takoi edhe përfaqësuesit e partisë shqiptare në pushtet BDI-së. Nga partia e Ahmetit thanë se kërkesat e maturantëve do t’i dorëzojnë në Qeveri që të gjendet një zgjidhje brenda kornizës aktuale juridike.

VMRO-DPMNE gjatë ditës së djeshme dorëzoi propozim ligj për ndryshim dhe plotësim të ligjit për shkollim të mesëm. Mbështetje për kërkesat e maturantëve dhanë edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Ndërkohë që LSDM dhe ministria e Arsimit  thonë se ligji është i qartë dhe se kjo çështje është e pa mundur për këtë vit shkollor.

Përfaqësuesit e Unionit thonë se janë duke i grumbulluar faktet me kërcënimet që marrin nga profesorët dhe ditëve të ardhshme të njëjtat do t’i publikojnë.

Jemi duke i dokumentuar momentalisht t’i kemi krejt si fakte dhe argumente dhe si “screenshot”-e  që mos të dalim në media dhe të përmendim gjëra hipotetike pa mos pasur argumente. Në momentin që do i kemi faktet të njejtat do t’jua dorëzojmë juve si media që t’i dini me emra dhe mbiemra kush janë kërcënuesit dhe ata që bëjnë presion ndaj nxënësve- tha Blendi Hodai, Unioni i nxënësve të shkollave të mesme.

Që nga gjysmë vjetori i dytë maturantët kërkojnë që në provimin e maturës të ju hiqen dy nga katër lëndet që përfshin provimi shtetëror. MASH thotë se për një ndryshim të tillë duhet kohë, dhe se tani është vonë për realizimin e saj. Matura shtetërore ka tre afate. Afati i parë është në fund të muajit Maj, afati i dytë në Qershor ndërsa i treti në Gusht.

Burimi: Alsat-M