Matura shtetërore, nuk ka anulim të testimit në anglisht

Provimi i maturës shtetërore në gjuhën angleze nuk do të anulohet, pavarësisht që u shpërndanë fotografi me pyetje dhe përgjigje. Drejtuesja e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Bllagica Pavllovska tha për Alsat se nuk bëhet fjalë për teste të marra nga sistemi, por ato janë shpërndarë nga nxënësit pasi ka nisur provimi.

“Jo. Nuk parashikohet mundësia e anulimit të maturës shtetërore. Testet u përpiluan në mënyrë profesionale nga Qendra dhe me kohë u shpërndanë në të gjitha shkollat. Testet nuk janë marrë nga sistemi. Testimi filloi me kohë. Në të gjitha shkollat testimin e realizuan: drejtori, komisioni i maturës shkollore, testatorë nga shkolla të ndryshme dhe mbikëqyrës nga institucionet arsimore. Materiali është rikthyer në zyrat e Qendrës Shtetërore të Provimeve dhe po vijon kontrollimi i listave dhe proces verbaleve”, thanë nga Qendra Shtetërore e Provimeve.

Testi i maturës shtetërore në gjuhën angleze u shpërnda në mesin e nxënësve përmes grupeve në Viber dhe më pas në rrjetet sociale. Sipas fotografive, testi ishte i plotësuar me përgjigje thuajse në të gjitha pyetjet. Komisioni për arsim dhe shkencë i VMRO-DPMNE-së ka reaguar përmes një komunikate me shkrim ku theksohet: “është e qartë se institucionet nuk janë më në gjendje të përmbushin detyrimet e tyre dhe kanë nevojë për një rifillim të menjëhershëm”.

Në provimin e dytë të maturës shtetërore morën pjesë mbi 15 mijë maturantë. 13.922 maturantë iu nënshtruan provimit në gjuhë angleze ndërsa 1.397 në matematikë. /alsat.mk