Librat me fyerje ndaj shqiptarëve, Forumi Rinor i ASH-AAA-së djeg librin e sociologjisë

Forumi rinor i Aleancës për shqiptarët dhe Alternativës sërish ka reaguar ndaj fyerjeve  të shqiptarëve nëpër librat shkollor. Kësaj here bëhet fjalë për librin e Sociologjisë për vitet e dyta gjimnaz. Të rinjtë e koalicionit thanë se libri i Sociologjisë shpërndanë propagandë fashiste dhe nënçmuese ndaj shqiptarëve. Në faqen 116 të këtij libri bëhet dehumanizimi i shqiptarëve duke i trajtuar ata si të paedukuar, të cilët nuk janë të aftë të kontrollojnë natalitetin e tyre dhe si pasojë propozon që të vendosen masa kontrolli për natalitetin e shqiptarëve. Sipas forumit rinor të ASH-AAA, ky libër u autorizua në vitin 2020 nga Ministri i atëhershëm Arbër Ademi. Në shenjë revolte, të rinjtë opozitar kanë djegur faqet fyese të këtij libri, para Ministrisë së Arsimit.

Nga respekti që kemi për librin ne do e kursejmë atë si libër, megjithatë ne sot do t’i djegim faqet me elemente fashiste në mënyrë që të tregojmë që mentaliteti fashist nuk duhet të ketë vend në librat shkollor me të cilat synohet indoktrinimi i fëmijëve tanë. Përmes një letre zyrtare drejtuar ministres Carovska, kërkojmë që urgjentisht ky libër të tërhiqet nga përdorimi dhe të ndalohet fyerja e shqiptarëve dhe shpërndarja e fashizmit në shtetin tone- Omer Ajdini, Forumi Rinor ASH-AAA.

ALSAT-M