Këtë fotografi të shkollave mund ta shohim edhe në shtator?!

Në rast se gjendja me Covid 19 do të vazhdojë në vjeshtë, nuk përjashtohet mundësia që viti i ri shkollor dhe akademik të vazhdojë sipas modelit online, siç po realizohet gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Kështu u shpreh ministri I Arsimit, Arbër Ademi duke shtuar se dikasteri i tij nuk ka përgatitur ndonjë strategji për këtë çështje. Ai tha se planet dhe parashikimet për vitin e ri shkollor dhe akademik do të nisin menjëherë pas përmbylljes së vitit shkollor më 10 qershor.

Nëqoftëse rrethanat janë të njëjta ne mund të përballemi me masa të njëjta, që do të thotë me mësim online. Mirëpo, nuk dua të prejudikoj për arsye se mund të organizohemi edhe më ndryshe në institucionet arsimore që të ruhet distance, të respektohen rekomandimet e autoriteteve shëndetësore dhe të mos vihet në pikëpyetje mënyra tradicionale konvencionale e organizimit të procesit arsimor”-tha Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Mësimdhënësit, që prej tani shprehen të shqetësuar nëse e njëjta gjendje do të vazhdojë në shtator. Thonë se  më të dëmtuar do të mbeten nxënësit, posaçërisht ato të rajoneve rurale që për shkak të pamundësive të ndryshme, akoma nuk janë përfshirë në mësimin online.

 Kemi nxënës të cilët nuk kanë rrjet të internetit nëpër shtëpitë e tyre. Do të bie interesimi I nxënësve për mësim. Për fat të keq, në mësimin fillor ku bazat I marrin nxënësit për shkollim të mëtutjeshëm, besoni do  të kemi humbje shumë të mëdha nga aspekti edukativo arsimor po flas. Sepse, ne arsimtarët, në njëfarë mënyre japim kontributin tonë. Mirëpo, nxënësit është shumë vështirë që ta kapin të arriturën, do të thotë, ne çka I presim nga nxënësit do të jetë shumë keq”-pohoi Suzana Kurbardoviq Jakupi, mësuese në Shkollën Fillore “25 Maji”.

Në një anketë të realizuar nga UEJL-ja, vetëm 25 % e studentëve brucoshë janë shprehur se do të ishin pajtuar që studimet ti nisin nga distanca.

 Kur i pyetëm ata sa janë të kënaqur me mësimdhënien dhe mësimxënien, ata shprehen 75 % shumë të kënaqur. Po, në anën tjetër i pyetëm poqëse nga e para do të fillonin studimet në online, vetëm 25 % prej  tyre pajtohen me këtë, që do të thotë se studimi online apo mësimdhënia online mund të jetë një zëvendësim në kushte të pamundësisë dhe rrethanave tjera, siç është rasti me pandeminë”-theksoi Abdylmenaf Bexheti, rektor i UEJL-së.

Qeveria tashmë ka miratuar një sërë masash në fushën e arsimit. Anulohet matura shtetërore, matura shkollore dhe provimi përfundimtar për këtë vit shkollor, ndërsa nxënësit nuk do të kthehen në bankat shkollore deri në fund të vitit shkollor. Regjistrimi i nxënësve në klasë të parë do të realizohet në qershor si dhe do të rregullohen regjistrimet në institucionet e arsimit të lartë.

Burimi: Alsat-M