FILLOI VITI I RI SHKOLLOR/ Zërat e nxënësve gjallërojnë shkollat

Çdo oborr i shkollave fillore dhe të mesme sot ishte përplot me nxënës dhe prindër, në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor 2021-22. Zhurma e fëmijëve u kishte munguar të gjithëve e posaçërisht mësimdhënësve që me padurim prisnin takimin me fëmijët. Para se të hynin në shkollë, duart e fëmijëve spërkateshin me dezinfektues si dhe bëhej matja e temperaturës.

“E kam emrin Rudina. Po vij në klasë të parë. Jam gëzu shumë që po i shoh shoqet. Mezi po pres me hy në klasë, me pa mësuesen”.

“Po pres me pa mësuesen dhe një vjershë e kam përgatit për mësuesen”.

“Kam ardhur në klasën e parë, me i bë detyrat, me mësu edhe me marr pesa”.

“Çka i ke ble mësueses? Lule. Je në klasë të parë? Po. Jam gëzuar që filloi shkolla”.

Mësuesja Senxhan Miftari nga shkolla fillore “Hasan Pishtina” në Shkup kujtoi prindërit me rekomandimet shëndetësore dhe rregullat në shkollë në kushte pandemie.

“Rreptësishtë është e ndaluar hyrja e prindërve në klasë. Unë kam listën e juaj dhe numrat e telefonit, do e formoj një grup dhe ky grup do të jetë mjeti I vetëm kontakti mes mua dhe ju. Do të jeni të rregullt çdo ditë në shkollë duke I respektuar masat. Unë do të dal çdo ditë do ti pranoj fëmijët dhe ja kështu do t’ua dorëzoj”, theksoi Senxhan Miftari, mësuese, sh.f “Hasan Prishtina”.

Gëzim dhe emocione edhe në shkollat e mesme të qytetit. Me padurim për të nisur vitin shkollor me prezencë fizike, shumë prej nxënësve kishin mbërritur në shkollë që në orën 7 të mëngjesit.

“Jemi organizuar jashtëzakonisht mirë duke u shfrytëzuar tre hyrjet dhe daljet që i ka shkolla. Nxënësit kanë qenë shumë të kënaqur se prej ora 7 i kemi në oborrin e shkollës. Normalisht që është vështirë por duke pas parasysh që i din masat dhe protokollet do ta ruajmë më tepër higjienën dhe më të përpiktë në masat e parapara nga Ministria e Arsimit”, tha Visar Durak, drejtor I shkollës profesionale “Cvetan Dimov”.

“Shumë mirë dhe shumë emocionale. Shpresoj që katër vjet do t’i kalojmë shumë mirë me klasën dhe kujdestaren”.

“Jam shumë e lumtur sepse mësimi online ishte shumë i vështirë. Nuk arritëm të mësojmë në atë mënyrë. Me prezencë fizike shumë më mirë”.

Në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, nxënësit thanë se me vullnet do të respektojnë masat me qëllim që viti i ri shkollor mos të kaloj në formën online.

“Bankat u mbushën më në fund. Nuk ka heshtje në shkollë, ajo është një plus shumë i madhë, fëmijët janë poashtu të gëzuar. Unë po prisja të gjithë të vijnë dhe kur futem në klasë të gjithë ishin  në banka, të heshtur dhe më lanë një përshtypje jashtëzakonisht të mirë. Shpresoj që gjithçka të jetë në rregull dhe do të vazhdojmë që së paku gjysmë vjetorin ta kalojmë me prezencë po edhe më mirë nëse mundet gjithë vitin”, tha Pranvera Xhaferi, gjimnazi “Zef Lush Marku”.

“Kemi vullnet që të vijmë dhe i respektojmë shumë lehtë masat edhe pse situata është pak e vështirë”.

“Do të jetë pak me vështrësi për shkak të masave dhe maskave por kjo nuk është pengesë se ne të gjithë kemi vullnet për në shkollë”.

“Është një fillim i ri, shumë mirë që filluam më shkollë për shkak se ishim të mbyllur në shtëpi”

Burimi: TV ALSAT