Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) shpalli dje thirrjen për ushtrimin e të drejtës së vaktit të subvencionuar të studentëve për vitin akademik 2023/2024. Ministria fton të gjithë studentët të cilët i plotësojnë kushtet: të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, studentë të rregullt në universitetet shtetërore dhe private, të cilët nuk janë në punë të rregullt, të cilët nuk janë të regjistruar si fermerë individual dhe që nuk kanë të ardhura mujore mbi asnjë bazë më të madhe se paga minimale neto për vitin aktual, transmeton Portalb.mk.
Kandidatët duhet të regjistrohen në faqen elektronike të shërbimeve elektronike të Ministrisë së Arsimit.
Afati i fundit i aplikimit për studentët është 1-10 gusht. Për kandidatët që do të fitojnë statusin e studentit nga tetori, gjegjësisht për studentët e vitit të parë, si dhe për studentët që nuk janë regjistruar në semestrin veror, afati i aplikimit do të jetë nga data 1 deri më 7 tetor.
Studentët gjatë regjistrimit duhet të plotësojnë, nënshkruajnë dhe bashkëngjisin dy dokumente: Kërkesën për fitimin e të drejtës për ushqim studentor të subvencionuar dhe Deklarimin e saktësisë së të dhënave të futura.
Çdo kandidat mund të kontrollojë aplikimin e dorëzuar, në aplikacionin elektronik në menunë “Aplikimet e mia”. Për ndihmë në aplikim, studentët mund të shikojnë videon e disponueshme në këtë link.
MASh bën me dije se sipas detyrës zyrtare do të sigurojë dëshmitë nga aplikimet për çdo kandidat individualisht nga institucionet kompetente (MPB, APM, DAP dhe shërbimet studentore të fakulteteve).
Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të njoftojë çdo kandidat për statusin e aplikimit në mënyrë elektronike.
Ushqimi i subvencionuar i studentëve është mbështetje financiare në shumë prej 140 denarë në ditë, të cilën studenti e merr nga Ministria e Arsimit për blerjen e ushqimit të përgatitur.
Përdoruesit do të kenë të drejtë të përdorin shërbimin nga e hëna në të shtunë, por jo gjatë festave zyrtare dhe ditëve jopune. Nëse përfituesi i një vakti studentor të subvencionuar nuk shfrytëzon të drejtën për të subvencionuar vaktin e studentëve brenda një dite, shuma nuk i transferohet të nesërmen, njoftoi MASh.
Studentët ushtrojnë të drejtën e ushqimit të subvencionuar nga data 15 shtator deri më 30 qershor.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë ka lidhur marrëveshje me Shparkase banka SHA Shkup për realizimin e pagesave për ushqimet e subvencionuara të studentëve. Që aty, të gjithë studentët që fitojnë të drejtën e ushqimit studentor do të duhet të nënshkruajnë një marrëveshje me Sparkase Bank për të hapur një llogari të veçantë, të lidhur me një kartë pagese të dedikuar për ushqimet e subvencionuara, pavarësisht nëse kanë qenë më parë klientë të Sparkase Bank. Studenti nuk do të ketë kosto për hapjen e llogarisë dhe lëshimin e kartelës së pagesës.
Fondet e destinuara për vakt të subvencionuar studenti do të mund t’i shpenzojë tek ofruesit e vaktit të subvencionuar të studentëve, të cilët janë persona juridikë që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqime vetëm nëpërmjet kartelës së Sparkasse Bank.
Nëse studenti nuk e merr kartën në kohë ose nuk e mbledh fare, nuk do të mund t’i përdorë fondet në asnjë mënyrë tjetër.
Afati dhe mënyra e tërheqjes së kartelave do të shpallen më tej nga Ministria dhe Banka Sparkasse.
Gjithashtu, çdo datë 1 deri në 7 të muajit për çdo muaj të vitit akademik 2023/2024 do të jetë afati i fundit për aplikim për studentët që nuk e kanë ushtruar të drejtën e ushqimit të subvencionuar studentor më parë ose të cilëve u është pushuar e drejta për shkak të mosplotësimit të ndonjë kriteri. Studentët do të mund të aplikojnë sërish kur të plotësojnë kriteret e përcaktuara në thirrje.
Ministria bëri me dije se do ta heqë personin nga evidenca e përfituesve të ushqimit të subvencionuar të studentëve kur të konstatojë se nuk i plotëson më kushtet për shfrytëzimin e ushqimeve të subvencionuara të studentëve.
Pas kontrollit të të dhënave për studentët që plotësojnë kushtet e thirrjes publike, pagesa do të bëhet në mënyrë retroaktive për periudhën që fillon nga data 15 shtator e në vazhdim për sa kohë studenti plotëson kushtet sipas kësaj thirrjeje publike.
Për të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me regjistrimin e shfrytëzuesve për vakte të subvencionuara të studentëve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se ofron mbështetje përmes Sektorit për nxënëse dhe standarde të nxënësve, në kontaktin në vijim: subvinciran.obrok@mon.gov.mk ose në zyra e dedikuar në katin përdhes në ndërtesën e Ministrisë.
Më shumë informacion dhe Konkursi mund të gjenden në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.