Asnjë nxënës nuk është regjistruar në klasë të parë në dy fshatra të Tetovës

Në shkollat fillore të Tetovës këtë vit është ulur ndjeshëm numri i nxënësve të regjistruar në klasë të parë, shkruan Alsat.

Përderisa një vit më parë, kishte 1 091 nxënës të regjistruar në klasë të parë, sivjet janë dhjetëra më pak, apo 1033 gjithsej.

Kjo shifër, madje nuk është edhe aq alarmante nëse të njëjtës, nuk i shtohet edhe numri i nxënësve që kanë kërkuar fletëshpërnguljet brenda vitit, si pasojë e ikjes së tyre në mërgim. Drejtoresha e shkollës fillore “Liria” në Tetovë, thotë se, në vit të paktën 30 nxënës ikin nga vendi.

“Ky rast në shkollën tonë është gjithnjë e më i shpeshtë, për dhënie të fletëshpërnguljeve për shtetet në perëndim. Përafërsisht 30 brenda vitit kemi. Kjo është shumë e dhimbshme, mësohemi me ata nxënës dhe kur ikin duket si me ik një anëtar i familjes”, tha Samije Alili, Drejtoreshë e Sh.F.”Liria” Tetovë.