Vazhdimisht janë shkelur afatet kohore për përfundimin dhe lëshimin në funksion të konviktit studentor në Tetovë i cili ka shtatë vite që premtohet. I njëjti nuk do të jetë gati as për këtë semestër i cili në Universitetin e Tetovës fillon muajin e ardhshëm. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) për Portalb.mk tha se konvikti do lëshohet në përdorim semestrin tjetër, në vjeshtë. Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) thotë se ministri i Arsimit neglizhon nevojat e studentëve të Pollogut.
Edhe pse nevoja e studentëve në Tetovë për konviktin studentor është e madhe, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për shumë ministra dhe zëvendës që janë ulur në kolltukun e kësaj ministrie që të përshpejtojnë punët për këtë konvikt, madje premtimet për përfundimin e të njëjtit vazhdimisht janë shtyrë.
Nga Universiteti i Tetovës (UT) për Portalb.mk theksuan se kompetencat për zhvillimin e punimeve të konviktit studentor i takojnë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
“Ditë më parë ka filluar mobilimi i objektit të konviktit. Sipas kontratës për bashkëpunim në mes Universitetit të Tetovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, obligimi ynë është kyçja e ujësjellësit dhe ju njoftojmë që ne jemi në përfundim të tij. Ndërsa ka ngelur ende pa u rregulluar oborri, por kjo çështje është nën kompetencat e Ministrisë”, thanë nga UT.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASh) konvikti nuk do të jetë gati as këtë semestër, por tjetrin.
“Në konviktin studentor në UT ende po punohet, janë porositur të gjitha pajisjet e nevojshme këtë semestër. Në përdorim do të lëshohet në semestrin e vjeshtës”, thanë nga MASh për Portalb.
Këto vonesa për përfundimin dhe hapjen e konviktit studentor në Tetovë sipas Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA) janë vetëm një prej treguesve që ministria e Arsimit dhe Shkencës, konkretisht ministri Jeton Shaqiri, vazhdon të neglizhojë nevojat themelore të studentëve të rajonit të Pollogut.
“Shpesh herë, sidomos gjatë kampanjave parazgjedhore shfrytëzohet Universiteti i Tetovës për të marrë pikë politike por nga ana tjetër, nuk janë në gjendje studentëve të atij universiteti të ju sigurojnë kushtet bazike për një jetë studentore ashtu siç i ka hije. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri studimet i ka kryer në universitet privat, andaj, ai nuk është i njoftuar dhe nuk mund t’i kuptojë brengat e studentëve të universiteteve publike por ai duhet ta kuptojë se shumica dërmuese e studentëve në këtë vend, të cilët janë taksapagues, nuk kanë mundësitë financiare t’i kryejnë studimet në universitete private siç ka bërë ai”, thanë nga FNA për Portalb.mk.
Autoritetet kanë shkelur afatet e realizimit dhe vazhdimisht kanë premtuar afate të reja të përfundimit të projektit por pa rezultat përfundimtar deri më sot.
Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.
Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti.
Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë. Më pas, nga MASH thanë se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, por edhe kjo nuk u bë.
Në fillim të vitit 2022, ministri aktual, Jeton Shaqiri deklaroi se konvikti pritet të jetë gati për semestrin e kaluar i cili filloi në tetor, që edhe kjo nuk u bë. Konvikti nuk do të jetë gati as për këtë semestër që do fillojë edhe pak ditë. I njëjti pritet të lëshohet në përdorim semestrin e vjeshtës. Por nëse kjo do të realizohet në këtë afat, mbetet të shihet deri atëherë.
Ndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i jo i lehtë për studentët. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.