Numri i nxënësve të regjistruar në arsimin fillor zvogëlohet, ndërsa në arsimin e mesëm ka një rritje shumë të vogël në vitin e kaluar shkollor. Në prag të vitit të ri shkollor 2019/2020, statistikat tregojnë se është duke u “shkrirë” numri i nxënësve të regjistruar në shkollat fillore – të dhëna që ekspertët i lidhin me indikatorët e tjerë demografikë, rënien e natalitetit dhe shpërnguljen intensive, që është gjithnjë e më e përhapur edhe në familjet me fëmijë më të vegjël. Që nga viti shkollor 2007/2008, ka pasur një trend rënës në numrin e nxënësve të regjistruar edhe në arsimin e mesëm, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Numri i nxënësve të shkollave fillore zvogëlohet për 4.300 nxënës në vit…
Nga viti 2007 deri në vitin shkollor 2018/2019 trendi i zvogëlimit të numrit të nxënësve në arsimin fillor nuk ndalet. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave, që nga viti 2007, numri i nxënësve të regjistruar në arsimin fillor është zvogëluar për 30.293. Pikërisht pas vitit shkollor 2007/2008, numri i nxënësve të shkollave fillore ra nën 200.000 nxënës të regjistruar.
“Në arsimin fillor, nga viti në vit zvogëlohet numri i gjeneratës hyrëse në arsimin fillor, si dhe numri i përgjithshëm i nxënësve. Numri i nxënësve të regjistruar në arsimin fillor në vitin shkollor 2017/2018 është më i vogël për 13.5% në krahasim me viti shkollor 2007/2008” – thuhet në raportin zyrtar të Entit Statistikor.
Disa nga analistët që i konsultoi “Portalb”-i thonë se këta tregues janë të pritshëm kur vendi përballet me një rritje natyrore negative nga njëra anë, që do të thotë se numri i të porsalindurve është më i ulët se numri i të vdekurve, dhe nga ana tjetër, ndodh eksodi i shpërnguljes së popullatës.
“Numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë në vitin 2018 në krahasim me vitin 2016 është zvogëluar për 1.669, ndërsa të dhënat tregojnë se kjo gjendje vazhdon edhe në vitin 2019. Në fakt, në nivelin e gjithë vendit rritja natyrore në tremujorin e parë të këtij viti është negativ dhe është -1076, që do të thotë se për aq njerëz është më i vogël numri i fëmijëve të lindur të gjallë se sa numri i personave të vdekur” – thotë eksperti për demografi dhe njëri nga ish-drejtorët e Entit Statistikor, Donço Gerasimovski dhe shton:
“Si parametër për shpërnguljen nga vendi mund të merret edhe zvogëlimi i numrit të nxënësve në shkollat fillore, ku të dhënat tregojnë se mesatarisht ka zvogëlim prej rreth 4.500 nxënësish në vit, ndërsa argumenti shtesë se përballemi me shpërngulje është zvogëlimi i numrit të nxënësve edhe në fund të vitit shkollor. Nga ana tjetër, kemi të dhëna se numri i lindjeve të fëmijëve të gjallë jashtë vendit rritet për rreth 200 fëmijë në vit”.
Trendi i rënies së numrit të nxënësve të shkollave fillore është vërejtur edhe në raportin e fundit të Entit Statistikor, ku vetëm në vitin e kaluar shkollor në krahasim me vitin shkollor 2017/2018 numri i nxënësve është zvogëluar për 4.346.
“Në fillim të vitit shkollor 2018/2019, numri i nxënësve në shkollat e rregullta fillore ishte 188.102, që është një rënie prej 2.3% në krahasim me vitin e kaluar shkollor” – thonë nga Enti Statistikor.
Me rënien e numrit të nxënësve, në vitin shkollor 2018/2019 në krahasim me vitin shkollor 2017/2018 numri i klasave në shkollat fillore është zvogëluar për 156, ndërsa numri i shkollave fillore është zvogëluar për dy.
Që nga viti 2007, numri i nxënësve të shkollave të mesme është zvogëluar për më shumë se 23.000…
Edhe në arsimin e mesëm është zvogëluar numri i nxënësve të regjistruar gjatë viteve të kaluara. Nga viti shkollor 2007/2008 deri në vitin shkollor 2017/2018 numri i nxënësve të shkollave të mesme është zvogëluar për 23.165.
“Edhe numri i nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm zvogëlohet. Numri i nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm në vitin shkollor 2017/2018 është zvogëluar për 24.4% në krahasim me viti shkollor 2007/2008. Numri i nxënësve të regjistruar në vitin shkollor 2017/2018 është zvogëluar për 11.4% në krahasim me vitin shkollor 2007/2008″- theksojnë nga Enti Statistikor.
Ka pasur një rritje shumë të vogël për 192 nxënësish të shkollave të mesme në vitin e kaluar shkollor në krahasim me vitin shkollor 2017/2018.
“Numri i nxënësve në shkollat e rregullta të mesme në fillim të vitit shkollor 2018/2019 ka qenë 71.650, që është një rritje prej 0.3% në krahasim me vitin e kaluar shkollor” – thonë nga Enti Statistikor.
Gjatë periudhës së analizuar, numri i shkollave të mesme është rritur vetëm për një shkollë të re, ndërsa nga numri i përgjithshëm i shkollave të mesme në nivel të vendit, 13 janë shkolla private. Në arsimin e mesëm, në vitin shkollor 2018/2019 kanë punuar 7.479 mësimdhënës, që paraqet një rritje prej 34 mësimdhënësve në krahasim me vitin e kaluar shkollor, ndërsa nga kuadri i përgjithshëm mësimor, 306 mësimdhënës kanë punuar në shkollat e mesme private.