Nxënësit edhe për një kohë jashtë klasave

 Me shumë gjasa edhe gjysmë vjetori i dytë do të vazhdojë në formën e njëjtë të vijimit të procesit edukativo-mësimor, pasi që sipas tyre thuhet se deri më tani 90 për qind e nxënësve e kanë ndjekur platformën e mësimit online, edhe pse nuk përmendin ndonjë prej ngecjeve apo problemeve që ndoshta mund të jenë ekzistuese gjatë këtij procesi, thonë në MASH. Ministrja Mila Carovska në deklaratat e saj të para disa ditëve përmend dhe zotohet se platforma e mësimit nëpërmjet internetit ka shkuar përgjithësisht si duhet, dhe se sipas saj të gjitha sfidat janë tejkaluar. “90% e nxënësve dhe mësuesve ndjekin mësim në internet pa ndonjë problem. Tremujorshi i parë kaloi pa ndonjë problem të madh, vlerësimi përfundoi. Ndërkaq të premten pata një takim me të gjithë drejtorët e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme, të cilët nuk thanë se kishte sfida, dhe nëse kishte, ata i kanë kapërcyen ato së bashku me mësuesit dhe disa nga familjet, aq sa duhej bërë vlerësimi i vijimit fizik”, tha ministrja.

Ndërkaq mbetet të dihet se kush do të marrë përgjegjësi për 10 për qindëshin tjetër të nxënësve të cilët nuk ndjekin mësimin si pasojë e mos pasjes së pajisjeve teknologjike për ndjekjen e arsimit në platformën online në internet. Thuhet se këto probleme më së tepërmi i hasin nxënësit e viseve malore pasi që ekziston mundësia për mos pasje të valëve të internetit, dhe kjo gjë vështiron këtë proces edhe më shumë. Ndërsa zëvendësministri i MASH, Arafat Shabani, për gazetën tonë thekson se çështje e rikthimit të nxënësve në shkolla gjatë gjysmë vjetorit të dytë nuk varet nga MASH, kështu që sipas tij këto kompetenca i ka qeveria dhe komisioni përkatës i shëndetësisë të cilët ndjekin situatën epidemiologjike në vend. “Tani më arsimtarët dhe nxënësit janë të akomoduar me sistemin e ri, por se a do të ketë ndryshim në gjysmë vjetorin e dytë, dhe a do duhet të kthehen nxënësit me prezencë fizike në bankat shkollore, kjo nuk varet nga ne si Ministri e Arsimit, por varet nga komisioni shëndetësore dhe qeveria pasi që ata e vëzhgojnë situatën epidemiologjike në vend, natyrisht që në rast të përmirësimit të situatës, atëherë presim dritën jeshile prej tyre dhe mbetet të shohim rrjedhimisht më tutje”, deklaron Shabani

Ai gjithashtu përmend se nxënësit të cilët hasin problematika gjatë procesit mësimor, duhet të kyçen nëpërmjet televizorit për të ndjekur lëndët që zhvillohen dhe mbahen diku rreth 15 minuta në Radio Televizionin e Maqedonisë, programi shqip.
“ Tani për tani, mësimi po zhvillohet respektivisht mirë, ka kombinime dhe variante të ndryshme siç është edhe ndjekja e mësimit nga Radio Televizioni Shtetëror për ata nxënës të cilët kanë mungesë të kushteve e kështu me radhë. Mësimi nëpërmjet kanalit televiziv zhvillohet diku rreth 15 minuta në lëndë”, thekson zëvendës ministri. Sa i përket pjesës aktive të nxënësve në klasat mësimore dhe angazhimit maksimal të tyre, arsimtari Rizvan Bela shprehet se dukshëm ndjehen ngecjet në mësim dhe se orët mësimore janë tepër të shkurtra. “Mendoj se të mësuarit duke qenë të pranishëm fizikisht në shkollë edhe nxënësit edhe arsimtarët është mënyra më e mirë. Faktorin njeri nuk mund ta zëvendësoje asnjë aparaturë. Po aq e rëndësishme sa të mësuarit është edhe edukimi dhe mënyra se si të mësojnë fëmijët e kjo ndodh në shkollë. Pastaj aspekti i socializimit është segment i pashmangshëm, nxënësit, aty shoqërohen, njoftohen dhe mësojnë nga njëri-tjetri. Prandaj duhet gjetur një variant i kthimit të nxënësve në shkollë, ka mjaft modalitete, vetëm se të punësuarit në ministri duhet të jenë më të kujdesshëm dhe më të angazhuar. Aq sa vërej unë shumë nxënës nuk janë aktiv në orë, madje edhe i zë gjumi e as që marrin pjesë në orë mësimore. Nga ana tjetër orët janë më të shkurtra, shpjegimi është i mangët dhe më vështirë i kuptueshëm, sidomos për klasat e gjashta dhe vitet e para. Shpresojmë që gjysmë vjetori i dytë të nisë si duhet”, thekson Bela, ish drejtor i Byrosë për Zhvillimin e Arsimit.

Për rihapjen e shkollave, Organizata Botërore e Shëndetësisë, rekomandon se çdo vend që vendos të hapë shkollat, duhet të zbatojë masat për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Shkollat, sipas OBSH-së, duhet të zbatojnë verifikimin e gjendjes shëndetësore të nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit përcjellës dhe të zbatojnë politikën e ashtuquajtur, “nëse nuk ndihesh mirë – qëndro në shtëpi”. (koha.mk)